Osmani: E rëndësishme që nesër të votohet qeveria e re
Pas arritjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur Këshillin e Përgjithshëm.
Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë ndoshta më vonë do të diskutohet për emrat e ministrave në Qeverinë Kurti.
“Sot do të diskutohet vetëm për arritjen e marrëveshjes ndoshta më vonë edhe për emrat ne ekzekutiv dhe legjislativ. Nesër temë do të jetë vetëm zgjidhja e kryeministrit dhe të fillohet me punë për të mirën e qytetarëve”, ka deklaruar Osmani para gazetarëve.
Ndryshe, sot është nënshkruar marrëveshja për koalicionin ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga LVV dhe LDK do të ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe rreth 33 zëvendësministra. Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.