Presidenca përgatit dokumentin që do ta bëjë regjistrin e dëmeve të luftës
Hulumtimin dhe dokumentimin e humbjeve njerëzore, personave të zhdukur, shkeljeve masive të të drejtave të njeriut, shkeljes së të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe dëmeve ekonomike dhe kategoritë e këtyre dëmeve, brenda periudhës në shqyrtim që përfshin intervalin kohor prej 23 mars 1989 deri më 17 shkurt 2008, është njëra nga detyrat dhe përgjegjësitë që parashihet të ketë Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Kjo detyrë, këtij komisioni i është përshkruar në nenin 21 të Projektaktit normativ për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, të cilin Zyra e presidentit të Republikës së Kosovës e ka vënë në konsultim publik këtë javë, shkruan sot Koha Ditore.
Dokumenti do të jetë në konsultim publik deri më 13 mars të këtij viti dhe gjatë kësaj kohe palët e interesuara mund të dërgojnë komente për ndryshime eventuale në të.
Ky akt normativ thuhet se ka për qëllim themelimin, përcaktimin e mandatit, organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ndërkohë që është institucioni themelues, në këtë rast Presidenca, ai i cili siguron kushte për punë dhe funksionim të Komisionit.
Këtë projekt-akt e ka hartuar Ekipi përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, i emëruar nga presidenti Thaçi më 27 prill të vitit 2018.
Detyra shtesë të Komisionit, të të përcaktuara në këtë dokument, thuhet se janë për të hulumtuar rrethanat politike dhe shoqërore, të cilat në mënyrë vendimtare kanë ndikuar në armiqësi, shpërthimin e luftërave ose formave të tjera të konfliktit të armatosur, si dhe kryerjen e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut, si dhe për të hulumtuar rolin e akterëve kyç në konflikt.
Gjithashtu thuhet se komisioni ka për detyrë të marrë deklarata, të grumbullojë të dhëna për rastet e krimeve të luftës , krimeve kundër njerëzimit dhe shkeljeve tjera të masive të të drejtave të njeriut, të ofrojë përshkrim të detajuar për to, dhe të pasqyrojë shkeljet e të drejtave dhe pasojat e tyre.