Telashe me hekurudhat, a është e gatshme Kosova t’i nis trenat për Evropë? (VIDEO)
Së fundmi, me ndërhyrjen e të dërguarit special të presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, është ri-aktualizuar çështja për linjën hekurudhore Kosovë-Serbi, për të cilën linjë në parim është arritur marrëveshja. Tashmë është caktuar edhe delegacioni nga Kosova që po negocion për marrëveshjen e kësaj linje hekurudhore me Serbinë.
E derisa diskutohet për rihapjen e kësaj linje, infrastruktura hekurudhore, stacionet, nënstacionet, pritoret, janë në gjendje tejet të keqe në Kosovë. Ministria e Infrastrukturës ka nisur disa projekte për rehabilitimin e hekurudhave, por shumica e linjave ende janë në gjendje të keqe.
Kjo gjendje ka ardhur pasi shteti i la pas dore e nuk investoi në hekurudhat e Kosovës për 45 vjet.
E madje edhe disa trena që ka në dispozicion Hekurudha e Kosovës i takojnë shekullit të kaluar.
Përveç kësaj, janë edhe punëtorët që po përballen me vonesa të pagave, problem ky që mund të vazhdojë edhe gjatë këtij viti.
Kështu ka thënë në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, kryeshefi ekzekutiv i infrastrukturës së hekurudhave të Kosovës “Infrakos”, Agron Thaçi.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që t’i kthejnë sytë kah hekurudhat dhe të japin mjetet e përcaktuara sipas ligjit.
FaktePlus: Tashmë kanë nisur negociatat për rifunksionalizimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Beograd. Si e kanë pritur këtë Hekurudhat e Kosovës?
Thaçi: Kjo çështje i takon politikës dhe është çështje e marrëveshjeve dhe përgjegjësive të qeverive të dy shteteve. Ne si hekurudha patjetër që e mirëpresim çdo iniciativë, e cila ka të bëjë me rihapjen e linjës hekurudhore, linjës 10-të, dhe linjës nga Podujeva – linjës 7. Patjetër që çdo veprim, çdo rihapje, çdo rivendosje e bashkëpunimit mes shteteve dhe mes ndërmarrjeve hekurudhore është e mirëseardhur, sepse hekurudha është një transport strategjik, është transporti më i lirë që do të konsiderohet në vend dhe është transport i mallrave, udhëtarëve në distanca afatgjate dhe ne i kemi këto linja ekzistuese të cilat kanë qarkulluar dhe më herët dhe janë linjat e vetme përmes të cilave ne lidhemi me Evropën.
FaktePlus: Cila është gjendja aktuale e hekurudhave?
Thaçi: Gjendja aktuale është mesatare. Ju e dini që hekurudhat e Kosovës nuk kanë pasur investime prej 45 vitesh e këndej. Tani nuk kemi modernizim të hekurudhave, nuk kemi sinjalistikë, mirëpo me mundësitë tona mekanike ne po bëjmë të pamundurën dhe po mbajmë siguri në nivelin e nevojshëm. Sigurisht që nuk i kemi tunelet, disa tunele nuk i kemi në gjendjen më të mirë, nuk i kemi disa ura, nuk i kemi nënkalimet në gjendjen më të mirë e që nuk kemi shumë gjëra të tjera dhe ato kanë kosto shumë të lartë për t’i vendosur në vend e për t’i amortizuar. Ne kemi shumë punë për të bërë. Kemi edhe trupin e hekurudhave për ta rregulluar, sepse edhe aty nuk lejohet shpejtësi 120 km në orë që të zhvillohet. Prandaj, ne po bëjmë gjitha përpjekjet, po investojmë në mënyrë që të kemi një shpejtësi maksimale 120 km në orë, e cila kemi konsideruara sipas strategjive tona që aktualisht është e mjaftueshme dhe të kemi një siguri në nivelin më të lartë të mundshëm dhe të ruajmë jetërat e njerëzve. Ky transport është i rrezikshëm dhe po qe se nuk respektohen rregullat, pra është shumë më i rrezikshëm se sa transporti rrugor.
FaktePlus: Sa trena ka Kosova dhe cila është gjendja e tyre?
Thaçi: Kemi 12 lokomotiva, disa trena motorik. Por nga aspekti i transportit të mallrave mendoj që nuk janë keq, por mendoj që nga aspekti i transportit të udhëtarëve duhet të bërë më shumë. Ne duhet të kemi frekuentim më të madh. Sot që po flasim ne në Kosovë kemi 6 trena që qarkullojnë në ditë, e që janë shumë pak. E kemi një tren në ditë që qarkullon nga Prishtina në Fushë Kosovë dhe për Han të Elezit. Ky i takon shekullit të kaluar, nuk i takon këtij shekulli dhe këtu jemi të shqetësuar për sa i përket infrastrukturës, sepse kemi pak trena dhe sa më pak trena që kemi, ne kemi më pak të hyra dhe sa më pak të hyra që kemi ne kemi mundësi shumë më të vogla që ta mirëmbajmë në nivelin e duhur. Kemi probleme pastaj me pagat e punëtorëve sepse ne këtu ekzistojmë për transport, nuk ekzistojmë për gjë tjetër.
FaktePlus: Vitin e kaluar punëtorët e “Infrakos” dhe “Trainkos” mbajtën edhe greva pasi nuk iu ishte dhënë rroga. Cilat janë telashet në këtë aspekt?
Thaçi: Është problem të sigurohen pagat e punëtorëve pa subvencion të Qeverisë. Pra vështirë të ketë paga. Aktualisht me këtë transport ta harrojmë këtë mundësi, sepse as teorikisht nuk është e mundur. Ne as gjysmën e pagave nuk mund t’i sigurojmë me këtë transport. Aq më tepër që “Trainkos” si operator transporti nuk ka mundur vazhdimisht të na përcjellë me pagesa, mirëpo edhe shtetit, Qeveria subvencionin e ka ndarë 1/3 e asaj që është e obliguar me ligj të Hekurudhave të Kosovës. Ne vitin e kaluar jemi ballafaquar me probleme të mëdha në aspektin e sigurisë së rrogave sidomos në 6 mujorin e fundit, kemi pas mungesë dhe vonesë deri në një muaj. Mirëpo punëtorët edhe pse kanë shfaqur pakënaqësi, prapë janë për t’i falënderuar që kanë pas durimin e nevojshëm. Edhe pse sot dihet që secili i punësuar është i lidhur me pagën mujore, me obligime qoftë kreditore, qoftë obligime familjare dhe sigurisht që ne kemi bërë të pamundurën që bashkë me Qeverinë, por edhe me mundësi vetanake që t’i shlyejmë pagat dhe në fund të vitit kemi arritur që të jemi zero-zero.
FaktePlus: Sipas kësaj që thoni, punëtorët a do të përballen sërish me problemet e njëjta, pra të ketë vonesa për rroga?
Thaçi: Mjetet aktuale nuk na mjaftojnë, sepse nuk kemi nisur vitin me pozicione apo me mjete të alokuara sipas ligjit dhe fatkeqësisht nga Qeveria e Kosovës nuk është që jemi duke u pyetur. Shpeshherë kërkesat tona nuk janë duke u marrë për bazë nga ministritë e linjave… Qeveria duhet ta zbatojë ligjin e Hekurudhave të Kosovës. Kjo është obligative, duhet t’ia jap infrastrukturës, ‘Trainkosit’, e ‘Infrakosit’ dhe çdo kujt mjetet sipas ligjit dhe pastaj t’i lyp llogaridhënie. Sepse ne nuk mund të funksionojmë e t’i kryejë punët… Të kryej secili punët e veta në çdo hallkë shtetërore dhe prandaj ne duhet të japim llogaridhënie dhe dikush duhet të kërkojë llogaridhënie. Aktualisht nuk është i krijuar ky raport. Nëse duam që të kemi probleme, protesta, pakënaqësi, jo motivim për punë, largim të njerëzve atëherë mund të vazhdohet me këtë logjikë që e kemi, por kjo logjikë duhet njëherë e përgjithmonë të ndërpritet ose ne duhet të jemi të detyruar të ta ndërpresim transportin. Ndryshe ata që nuk i kryejnë punët e veta do ta marrin përgjegjësinë para ligjit.
FaktePlus: Sa ka qenë buxheti që iu është dhënë Hekurudhave të Kosovës?
Thaçi: 600 mijë euro ka qenë për subvencion, ndërsa mungon edhe 1.8 milion euro. E kam bërë të ditur vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës prej se ka hyr në zbatim ligji i hekurudhave dhe prej se ka hyr në zbatim metodologjia e përllogaritjes së tarifave nuk i ka ofruar, nuk i ka paguar ‘Infrakosit’ diku 10 milionë euro nga viti 2012-2013. Dhe paramendojeni që të ketë mungesë 1.8 milion euro në vit, praktikisht komplet gjysma e biznesit është e pamundur që të paguhen punëtorët apo edhe diçka tjetër. Pse ndodhë kjo? Ndodhë sepse nuk ka transport me 6 trena të udhëtarëve me një tren në javë. Tash është më mirë situata, është një tren çdo dy ditë apo një ditë e transportit të mallrave, por me këtë nuk mund të mbahet hekurudha. Shteti këtu duhet të marrë masa serioze. Ne këtë fazë, në këtë tranzicion që jemi, duhet të bëjmë përpjekje ta rrisim numrin e transportit, qoftë të lëshojmë trena më tepër, të investojmë në trena dhe t’i ofrojmë qytetarëve mjete transporti në mënyrë që edhe infrastruktura të ketë të hyra, por edhe transporti të ketë të hyra. Por, dikush duhet të paguaj sepse dihet që transporti hekurudhor nuk është profitabil, transporti i udhëtarëve e kemi fjalën. Por nuk kemi shumë transport të mallrave për shkak që jemi të gjysmë të izoluar dhe aty duhet të krijohet një politikë më tepër dhe Ministria e Infrastrukturës dhe ato tjerat përgjegjëse duhet të kenë kujdes me transportin e rëndë nëpër rrugë, të mos lejojnë të marrin masa, të krijojnë legjislacion të mirëfilltë, që të mos kemi edhe dëmtim të rrugëve./FaktePlus