Të gjitha partitë kundër: Ku do t’i marrë votat Kurti për tu bërë kryeministër?
Albin Kurti të hënën në ora 11:00 do të “matet” në Kuvendin e Kosovës.
Kjo për shkak se në këtë ditë do të mbahet edhe seanca ku do të votohet për formimin e Qeverisë.
Albin Kurti, ka marrë guxim që të thërras këtë seancë pa ndonjë marrëveshje me asnjë nga partitë politike, e po ashtu as me Lidhjen Demokratike të Kosovës me të cilën tash e sa kohë janë duke mbajtur takime për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, shkruan FaktePlus.
Insistimi i liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafës, për pozita të ndryshme në qeveri e po ashtu edhe pozita e kryeparlamentarit të cilën e mban VV-ja, janë bërë “mollë sherri” që këto dy parti nuk po bien në ujdi për të qeverisur së bashku.
Por, pavarësisht që të hënën do të mbahet seanca për tu votuar Qeveria e re, Kurti i ka të sigurta vetëm 29 vota, ku ky është edhe numri i deputetëve të partisë së tij.
Por, asnjë votë tjetër nuk është e sigurtë, madje pothuajse të gjitha partitë politike që janë pjesë e Kuvendit janë shprehur kundër votimit të Qeverisë gjatë seancës të së hënës.
Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot ka mbajtur mbledhjen e saj të radhës ku edhe është marrë vendim që mos të votohet Qeveria Kurti.
Deputeti i AAK-së, Ali Berisha, duke shprehur qëndrimin e Aleancës lidhur me seancën e thirrur për të hënën, theksoi se është shumë zhgënjyese që seanca për krijimin e qeverisë të ftohet pa marrëveshje politike.
Ndër të tjera, ai u shpreh se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës asnjëherë gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë pjesë e diskutimeve për formimin e qeverisë.
“Aleanca nuk ka asnjë arsye që të votojë një qeveri të tillë me shumë të panjohura, megjithatë qëndrimin e saj definitiv për këtë çështje, Aleanca do ta paraqes në seancën e së hënës, deklaroi deputeti, Berisha.
Kundër votimit të Qeverisë, Kurti është deklaruar edhe Nisma Socialdemokrate.
Shefi i Grupit Parlamentar i Nisma-së për Kosovën, Haxhi Shala ka bërë të ditur se partia e tij nuk do ta votojë Qeverinë Kurti më 3 shkurt kur edhe do të votohet nga Kuvendi i Kosovës.
“Nuk do ta votojmë Qeverinë Kurti. Ne nuk kemi ende asnjë informacion se a kanë arritur ata marrëveshje apo jo. Ne nuk jemi pjesë e Qeverisë Kurti. Pse duhet ne të dëshirojmë me votuar kur Albin Kurti nuk e ka bërë për opozitën. Ai na ka mësuar se asnjëherë nuk do të votojë opozitën”, ka thënë ai.
Kurti, të hënën nuk do t’i ketë as votat e deputetëve të PDK-së.
Kjo parti gjatë ditës së sotme, ka deklaruar se nuk do ta votojnë Qeverinë Kurti.
Këtë e ka bërë të ditur, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj.
“PDK nuk do ta votojë Qeverinë Kurti. Madje, PDK-ja nuk ka votë as për qeverinë e pakicës”, ka deklaruar Hoxhaj.
Por, më të rezervuar në këtë po shprehen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se Vetëvendosje ka arsye të mëdha që ta qojë procesin përpara, por se nëse dështon koalicioni mes këtyre dy subjekteve politike Mustafa ka pohuar se do ta votojnë një qeveri të pakicës të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Mbetem me shpresë që të përfundohet ashtu siç ka filluar, që VV-ja ta shfrytëzojë mandatin dhe të tregojë vullnet të mirë. Unë mendoj që është çështje e Vetëvendosjes dhe Kurti duhet ta shfrytëzoj maksimalisht. Pas datës 4 shkurt nuk e dimë çfarë do të ndodhë, ne kemi pasur vullnet dhe kemi që ta bëjmë koalicionin me Vetëvendosjen”, ka thënë ai.
Me 20 janar të këtij viti presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit. Dekretin ai e dërgoi në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti Thaçi mandaton Kurtin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit. E që Kurtit i kanë mbetur edhe 7 ditë kohë për ta krijuar ekzekutivin.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor të vitit 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zgjedhjet erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.
Në mungesë të formimit të qeverisë së re, Kosova ende qeveriset nga qeveria në detyrë e cila ka kufizime në marrjen e vendimeve. Çështja më urgjente, aktualisht, po konsiderohet ajo e miratimit të buxhetit, pasi që nga muaji prill, nëse nuk miratohet buxheti, autoritetet aktuale qeverisëse kanë paralajmëruar mundësinë e krizës buxhetore./FaktePlus