“Haradinaj bëri shkelje të rëndë ligjore”- Bajqinovci pyet se ku është Prokuroria
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj një javë më parë ia ka vazhduar edhe për tri vite tjera mandatin, drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.
Për këtë ka reaguar, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Bajqinovci ka shkruar se kryeministri Haradinaj në këtë rast ka shkelur rëndë ligjin, përcjell FaktePlus.
Ai përmes këtij shkrimi, ka spjeguar edhe procedurën se si duhet të ndodhë kjo.
Sipas tij, kjo është shkelje e rëndë ligjor dhe veprim arbitrar.
Postimi i tij i plotë:
Kryeministri Haradinaj, e ka shkelur rëndë ligjin, kur ka vendosur t’i vazhdojë mandatin drejtorit të përgjithshëm të Doganave të Kosovës. Kodi Doganor Nr. 03/L – 109, në nenin 5 (paragrafi 1) kërkon domosdoshmërisht krijimin e një komisioni dhe shpalljen e konkursit për zgjedhjen e tij.
Pas kësaj, propozimi i komisionit shkon tek ministri i financave, i cili, tek atëherë e dergon rekomandimin tek kryeministri. Vendimi i kundërligjshëm i kryeministrit, thirret pikërisht në dispozitën ligjore të neni 5 pika 1, të Kodit Doganor, të cilin Vendimi i kryeministrit e shkelë vrazhdë në kuptimin material (në përmbajtjen e tij), ngase aty qartë është e rregulluar se duhet të shpallet konkurs dhe duhet vendim për përzgjedhje nga komisioni fillimisht.
Kjo është shkelje e rëndë ligjore e radhes dhe veprim arbitrar, abuzim me detyrën, shpërdorim i funksioneve e të mirave publike etj. Pastaj ne quditemi se përse nuk kemi liberalizim të vizave. Qeveria në ardhje do të ndalojë këto abuzime me pasurinë e të mirat e përbashkëta.
Prokuroria ku është?/FaktePlus