Shteti i përkohshëm
Shkruan: Rrahman Paçarizi
Burimi i të gjitha problemeve në Republikën e Kosovë është perceptimi i shtetit si diçka e përkohshme. Të përkohshmet në nënvetëdije njeriu nuk i përjeton si të vetat – kqyrë me ikë dikah, me ndërru vend.
Që kur kam ardhë për studime në Prishtinë më 1990 e deri më 2005 unë kam jetu me qira, fillimisht si të gjithë studentët e asaj kohe e pastaj edhe si familjar. Asnjëherë nuk më është dhënë me ble ndonjë pikturë, as me futë foto në kornizë, as me i sistemu librat, as me bë dosje të organizuar të dokumenteve personale, as me i ble zbukurimet e zakonshme, as me mbajtë ndonjë vazo me lule. Përveç ushqimit dhe gjërave të tjera të domosdoshme, gjë tjetër nuk blija, pasi e kisha idenë që një ditë duhet ndërru banesa dhe gjithë çka i përmenda si detaje që e bëjnë një shpi (home) e jo shtëpi (house) veç telashe do të më shkaktonin me rastin e bartjes në banesën tjetër.
Me 2005 përfundimisht u vendosa në banesën ku jam edhe tash. Si shumica e banesave në Prishtinë, edhe banesa ime është e palegalizuar. E kam shtëpi dhe shpi, ku bashkë me gruan kemi rritur fëmijët tanë. Natyrisht se sjellja në raport me shpinë ka ndryshu rrënjësisht, por jo aq sa do të duhej për me u bë shtëpia shpi, pasi është një ndjenjë pasigurie e ftohtëse, një ndjenjë paligjshmërie e përkohësie, të cilën ma kujtojnë në komunë, në bankë, te noteri, ku nuk ma trajtojnë si pronë timen – pra nuk kam tapi.
Këta dy paragrafët e mësipërm e krijojnë njëfarë ideje viktimizimi – dikujt edhe mundet me i ardhë keq që paskam jetu gjatë me qira, e dikujt tjetër mund t’i vijë keq që banesën ku kam harxhu pothuajse gjithë kursimet familjare e paskam të palegalizuar.
Mirëpo, unë tmerrohem, kur e mendoj se shteti ishte dhe është po kaq i përkohshëm dhe i pasigurt sa edhe banesa ime e palegalizuar.
Kosova, ky shteti im dhe Juaji është banesë e palegalizuar, sepse të tillë na kanë detyru me e pa. Kosova nga 1999 e deri më 2008 ishte banesa jonë me qira, ku askujt nuk i jepej me investu, pasi statusi ishte i pazgjidhur. Mos më thoni që është investim ndërtimi i shtëpive, pasi ato ishin veç strehë për ta futë kokën. Madje ishim të lumtur që në këtë shtet me qirta, më nuk e paguanim qiranë në formë frike, keqtrajtimi, torturash, vrasjesh e dëbimesh nga Serbia. Na pëlqente banesa jonë e re, por jo sa për t’ia shtuar elementet e nevojshme për ta bë shpinë tonë.
Më 2008 u shpall pavarësia dhe tashmë nuk ishim me qira – bashkësia ndërkombëtare nuk i vringëllonte llafet për paqartësinë e statusit të Kosovës, nuk na vinte standarde para statusit dhe nuk na e kujtonte në hyrjen e secilit vendbanim me shumicë serbe, se Serbia ishte e pranishme ende e gatshme për të ardhë një ditë dhe për të na e rritë qiranë apo për të na përzënë nga banesa…
Mirëpo, klasa politike e Kosovës, asnjëherë nuk mendoi që të na e legalizonte këtë banesë të re, që e “kishim ble” me shumë mund, ku kishim lënë qimet e kokës, siç thonë andej bjeshkëve. Klasa politike e Kosovës na la të përpëliteshim brenda idesh që çdo ditë në a kujtonte se banesa jonë ishte e palegalizuar. 12 vjet pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe “demokratik” (kryeministri Thaçi e ka pasë të shkruar “sovran”, por e ka lexu “demokratik”) Kosova ende përpëlitet ndërmjet opsionesh që e lëndojnë pavarësinë – bashkim me Shqipërinë, federatë a konfederatë me Shqipërinë, ndarje e Kosovës, korrigjim kufijsh, marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë, hapje negociatash me BE-në…
Të gjitha këto opsione, jo vetëm që të bëjnë të mos ndihesh në shpinë tënde, por të bëjnë të ndihesh i përkohshëm. Prandaj hajnia dhe korrupsioni kanë lulëzu, prandaj nepotizmi, arsimi jocilësor, mungesa e vullnetit për punë mbizotërojnë jetën tonë shoqërore, prandaj hajnat janë “t’qimë nane”, prandaj dallaverxhinjtë janë bosa, prandaj e thërrasim njëri-tjetrin shef, prandaj kemi nevojë për kulte e mite, prandaj mendojmë se një parti mund të na shpëtojë, prandaj… prandaj sytë i kemi kah Perëndimi, jo për të marrë modele ekonomik,e arsimore e sociale, por për me ikë. Ne duam të ikim nga ky vend, jo se s’ka punë, jo se s’ka perspektivë, por sepse shtetin e perceptojmë si të përkohshëm, si diçka që një ditë mun dta lëmë e të marrim malet. Nëse një ditë e shoh një person tek endet me artmë në dorë në lagjen time, unë zor se kam me e njoftu policinë, pa çka se ai është rrezik potencial për mua dhe familjen time – më duket sikur do të bëhem spiun nëse e njoftoj policinë se dikush po endet me armë në dorë nëpër lagje e ku pastaj me e njoftu policinë se dikushe ka parku veturën keq dhe e ka blloku shtegun e biçiklistëve a shtegun e këmbësorëve dhe një nënë me bebe në karrocë, duhet ta heqë të zitë e ullirit për ta kalu rrugën. Po kush u hyn telasheve me e njoftu policinë nëse i dëgjon fiqnjët tek grindet edhe me rrezikun që ka me ndodhë diçka e keqe.
E shteti ynë i përkohshëm të bën mos me iu përkushtu arsimimit të fëmijëve, mos me ndërtu perspektivë ekonomike e sociale – prandaj edhe sot, 20 vjet pas lirisë Kosova është banesa jonë e palgelizuar, se ne vetë duam me e pa si të tillë. Tekefundit, kush u mor deri sot seriozisht me legalizimin e banesave – aty nis legalizimi i shtetit dhe ndjenja e të qenit përgjithmonë.
Edhe kriza e tashme e koalicionit është pasojë e përkohësisë, asgjë tjetër, madje pa shpresën me ndryshu diçka. Opsionet që ofrojnë veç sa e shtojnë ndjenjën e përkohësisë.
Deri atëherë, vidhni, mbushni xhepat se u duhen për të ardhmen e paqartë në vendin ku secili e quan tjetrin hajn, por e quan të tillë duke e lakmu fort.