Rrezikohen katër burimet e ujit që e furnizojnë Gjilanin me ujë të pijes
Në verën e vitit 2019, në Gjilan u shpall gjendje emergjente për shkak të mungesës së ujit të pijshëm. Situata po vazhdon të jetë e njëjtë edhe pas gjashtë muajsh. Qytetarët e Gjilanit po përballen ende me mungesë të ujit, ndërsa mungesa e reshjeve atmosferike, mund t’i rrezikojë edhe burimet aktuale nga të cilat gjilanasit po furnizohen me ujë.
Gjilanasit po përballen me mungesën e ujit të pijshëm tash e disa muaj. Gjendja e furnizimit me ujë, që nga vera e vitit që shkoi nuk ka pasur ndonjë përmirësim.
Për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike, reduktimet me ujë po vazhdojnë edhe gjatë muajve të dimrit.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se gjendja e furnizimit me ujë në këtë komunë momentalisht është e pakënaqshme.
Derisa ka theksuar se furnizimi me ujë po bëhet nga katër burime.
“Momentalisht në komunën e Gjilanit gjendja e furnizimit me ujë nuk është e kënaqshme por me gjithë vështirësitë jemi duke u përpjekur ta menaxhojmë këtë situate. Furnizimi me ujë po bë po bëhet nga penda e Përlepnicës me 16 l/s, nga burimi Guri i Hoxhës: 30 l/s, burimi qe vije nga fshati Velekincë me 64 l/s, si dhe nga burimet Brenda qytetit me 25 l/s”, ka treguar Ismajli.
Ismajli tha se task – forca e krijuar nga kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, po merret me problemet dhe menaxhimin e situatës.
“Për përballimin e kësaj situate, Kryetari Haziri ka ngritur një task force e cila po merret me secilin nga problemet që lindin nga mungesa e ujit si dhe menaxhimin sa më të mire të situates deri në gjetjen e një zgjidhje e lidhur me reduktimet, ato po zbatohen konform një plani të përgatitur, me të cilin plan reduktimesh njoftohen qytetarët përmes faqes zyrtare të kompanisë “Hidromorava” si dhe rrjeteve sociale”, u shpreh ai.
E si duket Gjilani po i mban varur shpresat tek Banka Botërore, për ndërtimin e një pende në lumin “Llapushnica”.
“Bashkë me KRU “Hidromorava” jemi duke mbajtur takime të rregullta me Bankën Botërore për të investuar në ndërtimin e një pende në lumin Llapushnicë në komunën e Gjilanit, ku fillimisht do të kryhet studim fizibiliteti, projekti dhe në fund investimi”, ka theksuar Ismajli.
E nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava”, kanë thënë për express se gjendja momentale e mungesës së ujit në Gjilan është si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike.
“Gjendja momentale e furnizimit me ujë në Komunën e Gjilanit, është e njëjtë pasi nuk ka të reshura atmosferike. KRU “Hidromorava” e ka bërë Planin e reduktimeve, ku qytetarët janë të njoftuar përmes mjeteve të informimit. Komuna e Gjilanit furnizohet me ujë nga këto burime: Penda e Përlepnicës, Guri Hoxhës, Baja, Puset e Velekincës dhe nga puset e Lokacionit të FSK-së”, ka theksuar Kryeshefi Ekzekutiv i Hidromoravës, Muhamed Suliqi.
Suliqi ka bërë të ditur se do të aktivizohen edhe tri puse në dy lokacione, ku përmes këtij plani po synohet të përmirësohen vetëm reduktimet e ujit.
Ndërkaq ai thotë se në mungesë të reshjeve atmosferike, mund të rrezikohen edhe burimet ekzistuese.
“Shumë shpejt do të aktivizohen edhe tri puse në dy lokacione: Lokacioni te Fidanishtja do të aktivizohen dy puse dhe te Lokacioni FSK-së edhe një pus. Me aktivizimin e këtyre puseve do ta zbusim vetëm planin e reduktimeve. Nëse nuk kemi të reshura atmosferike do të rrezikohen edhe burimet ekzistuese”, ka theksuar Suliqi.
E lidhur me mungesën e ujit të pijshëm, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në Frontal kishte treguar hapat që po ndërmerren për kursimin e ujit.
“De fakto është shpallë gjendje emergjente e shkallës së parë. Masa e parë është ndalimi deri në kufizim, kemi filluar me kufizime natën, kemi vazhdu edhe me kufizime ditën. Ndalet larja e oborreve, autolarja, edhe sot është mëndu që të ndalet edhe në industrinë e ndërtimit. Nuk është për panik, por, sasia e mbetur të menaxhohet mirë”, kishte thënë Haziri.
Sipas tij, deri te kjo krizë kishte ardhur nga arsyet natyrore, siç është mungesa e të reshurave të shiut, derisa kishte theksuar se kjo situatë po përsëritet çdo katër vjet.
Kurse në një takim që ishte mbajtur në mes të kreut të Gjilanit dhe drejtorit të Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë Veriore, Marco Montovanelli, ishte folur për mbështetjen që ky i fundit do të ia bëjë Gjilanit në sigurimin e ujit të pijshëm.
“Këto janë cekur si prioritete të Bankës Botërore. Shpresojmë që të krijojmë ndryshime në nivel lokal, e që do të ndikojnë pozitivisht në jetën e qytetarëve. Nga ana e Bankës Botërore e keni zotimin që do të përpiqemi dhe përkrahim Gjilanin në këtë sfidë të menaxhimit të resurseve ujore”, kishte thënë Montovanelli.