Çka po i shtyn dhe sa kosovarë kërkuan t’i ndërrojnë emrat gjatë vitit 2019?!
Qytetarë të shumtë të Kosovës, respektivisht me mijëra gjatë vitit 2019 u janë drejtuar zyreve të regjistrit civil e kanë aplikuar për t’i ndërruar emrat e tyre që iu janë vënë nga prindërit apo familjarët e tyre.
Si duket një pjesë e kosovarëve janë të kompleksuar nga emrat e tyre që për ndonjë arsye iu duken të vjetër ose fetar, apo edhe vetëm se nuk i pëlqejnë.
Vetëm brenda 12 muajve të vitit 2019 sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), e të cilat i disponon FaktePlus, janë 1 mijë e 60 qytetarë që kanë kërkuar ndërrimin e emrit apo të mbiemrit.
Qytetarët zakonisht pas moshës së arritur prej 18 vjetësh, po aplikojnë për t’i ndërruar emrat.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kërkuar nga MPB numrin e personave që kanë aplikuar të ndërrojnë emrin apo mbiemrin e tyre.
Nga kjo ministri kanë treguar se është gjinia femërore ajo e cila dominon me kërkesa të shtruara për ndërrim të emrit në zyret e regjistrit civil në Komunat e Kosovës.
“Në zyret regjistrit civil nëpër Komunat e Kosovës janë pranuar gjithsej 1 mijë e 60 kërkesa të qytetarëve për ndërrim të emrit apo mbiemrit. Prej këtyre 614 kërkesa janë nga gjinia femërore dhe 428 të asaj mashkullore”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Nga kjo ministri po ashtu kanë deklaruar se nga të gjitha këto aplikime për ndërrim të emrit apo mbiemrit, janë aprovuar saktësisht 997 kërkesa.
E ndërkaq Komisioni për shqyrtimin e kërkesave të tilla nga ana e Regjistrit Civil, ka kthyer mbrapsht 45 kërkesa duke i refuzuar ato, si dhe 18 të tjera janë konsideruar si kërkesa jashtë mandatit të Komisionit.
Arsyet për ndërrimin e emrit personal
Shtetasi mund ta bëjë ndërrimin e emrit personal për arsyet që konsiderohet si qesharake apo fyese.
Sipas procedurave për Ndërrim të Emrit Personal e cila rregullohet Udhëzimi Administrativ MPB_Nr.19/2015 emri personal i një individi mund të ndërrohet nëse ai është i vështirë në shqiptim.
Po ashtu, qytetarët mund të ndërrojnë emrin edhe për arsye të lehtësimit të saj apo tij për të qëndruar në Kosovë.
Emri mundet të ndërrohet edhe nëse është i njëjtë me një person tjetër ose nëse nuk përputhet me gjininë, mirëpo emri personal mund të ndërrohet edhe nëse shtetasi e ka ndryshuar fenë.
Dokumentet që kërkohen për të ndërruar emrin personal:
Kërkesa për ndërrimin e emrit personal duhet të bëhet personalisht, duke i ofruar dokumentet e nevojshme për të aplikuar.
- Plotësimi i kërkesës dhe arsyetimi me shkrim përse dëshironi ta ndërroni emrin personal;
- Certifikata e lindjes,
- Ekstrakti i lindjes,
- Certifikata e martesës,
- Vërtetimi nga arkivi,
- Dëshmi nga Gjykata kompetente qe nuk është nën hetime,
- Vërtetim nga policia që nuk është nën hetime,
- Fotokopja e dokumentit të identifikimit (letërnjoftimi ose pasaporta),
- Ekstrakti i lindjes për fëmijë (nëse ka fëmijë),
- Vërtetim nga administrata tatimore se nuk ka borxhe ndaj shtetit,
- Vërtetim i tatimit në pronë,
- Pagesa 20 Euro (Kjo pagesë duhet te bëhet në Bankë,)
Për personat e mitur kërkohen këto dëshmi:
- Kërkesa për ndërrimin e emrit personal, për fëmijë bëhet nga prindërit ose kujdestari,
- Pëlqimi i të dy prindërve për ndërrimin e emrit personal të fëmijës,
- Certifikata e lindjes,
- Ekstrakti i lindjes nga regjistri qendror,
- Certifikata e martesës e prindërve,
- Fotokopja e dokumentit te identifikimit për prindër, (leternjoftimi ose pasaporta),
- Vërtetimi nga arkivi,
- Pagesa 20 Euro, (Kjo pagesë duhet te bëhet në Bankë)
Afati brenda të cilit ndërrohet emri personal
Në procedurat administrative para organit të gjendjes civile, qytetarët nuk mund ta ndërrojnë emrin personal para se të kalohet afati prej pesë (5) vitesh nga ndërrimi mëparshëm.
Sipas komisionit të themeluar nga MPB, verifikimi i kërkesave për ndërrim të emrit personal merr kohë prej 15 ditësh dhe mandej u kthehet një përgjigje aplikuesve./FaktePlus