Hyseni: Si kurrë më parë Republika e Kosovës ka nevojë për unitet
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni ka reaguar rreth mos arritjes së koalicionit në mes VV dhe LDK-së.
Hyseni, ka thënë se si kurrë më parë që nga vitet 90-të, Republika e Kosovës ka nevojë për një Lidhje Demokratike të Kosovës me integritet e dinjitet të pacenuar, përcjell FaktePlus.
Ai ka thënë se është jetike që të gjitha forcat politike të gjejnë forcë dhe fuqi për të tejkaluar interesat e ngushta për të ndërtuar një front të përbashkët e konsenzus të fortë rreth çështjeve që rëndojnë të sotmën dhe determinojnë të ardhmën e shtetit.
Postimi i tij i plotë:
Si kurrë më parë, që nga vitet 90-të, Republika e Kosovës ka nevojë për një Lidhje Demokratike të Kosovës me integritet e dinjitet të pacenuar!
Si kurrë më parë, Republika e Kosovës ka nevojë për unitet!
Unitet që ndertohet brenda kornizave të diversitetit demokratik dhe mendimit kritik! Unitet, që në themel ka besimin e ndërsjellë dhe respekton mendimin ndryshe!
Para nesh janë disa sfida të rëndësisë fundamentale nacionale, të cilat, në shumë rafshe, do ta përcaktojnë të sotmën dhe të ardhmen e vendit tonë të dashur.
Është jetike që të gjitha forcat politike të gjejnë forcë dhe fuqi për të tejkaluar interesat e ngushta për të ndërtuar një front të përbashkët e konsenzus të fortë rreth çështjeve që rëndojnë të sotmën dhe determinojnë të ardhmën e shtetit.
Çështjet e rëndësisë nacionale nuk durojnë tendenca absurde për përfitime personale apo partiake në kurriz të interest kolektiv nacional.
Lidhja Demokratike e Kosovës, duke qenë thesar i paçmueshëm i këtij vendi, nuk guxon dhe nuk duhet ta lejojë këtë.
Të jemi konsistent në veprim dhe të këmbëngulim në çdo gjë që eshtë e interesit strategjik nacional, nuk është gjithnjë e lehtë, por ështe detyrim dhe thirrje e kohës për të sotmën dhe të ardhmën.
S.H./FaktePlus