Abbott angazhohet për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur nga lufta në Kosovë
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, vizitoi Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, me ç’rast takoi bartësit e institucioneve qeveritare, të angazhuar në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.
Gjatë takimit, sipas njoftimit për media të Zyrës për Informim të Kryeministrisë, Abbott u informua me infrastrukturën ligjore dhe institucionale, si dhe me angazhimet e Qeverisë së Kosovës në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe sfidat me të cilat përballet ky proces, duke theksuar në veçanti mungesën e ofrimit të informatave nga autoritetet e Beogradit.
“Përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, të angazhuar në këtë proces, vlerësuan lart përkrahjen e Ambasadës Britanike, gjegjësisht Mbretërisë së Bashkuar, në vazhdimësi, e në veçanti pas vizitës së Princit Charles në Republikën e Kosovës, gjatë vitit 2016”, thuhet në këtë njoftim.
Ndërkaq theksohet se Ambasadori Abbott shprehu përkushtimin e Ambasadës dhe angazhimin e tij personal në përkrahjen e mëtejshme të këtij procesi, me theks të veçantë “në adresimin e obligimeve që dalin nga ‘Deklarata e Përbashkët e Kryeministrave për Çështjen e Personave të Zhdukur’ të nënshkruar në Samitin e Londrës”.