Pse Rashit Qalaj s’i shpërbleu policët që hetuan kontrabandën e krimin e organizuar në veri?!
Mëngjesi i hershëm i 28 majit 2019 bëri bujë të madhe në Kosovë. Atë mëngjes mediat u mbushën me lajme për aksionin e madh që zhvilluan institucionet e rendit e sigurisë së Kosovës kundër krimit e korrupsionin.
Thujse i madh e i vogël me ditë të tëra vetëm për këtë aksion folën në Kosovë. Qytetarët shprehën solidaritetin dhe u krenuan me policët që tashmë po e luftonin krimin.
E krerët e shtetit nga presidenti, kryeministri e kryeparlamentari, duke u dalë në krah institucioneve të rendit e sigurisë, deklaruan se nuk ka objektiv më të rëndësishëm për shtetin sesa garantimi i sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, shkruan FaktePlus.
Në fakt operacioni i 28 majit 2019 që për qëllim kishte luftimin e kontrabandës e krimit të organizuar u zhvillua në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat në pjesën veriore të vendit, si: Zveçanin, Zubin Potokun, Leposaviçin, Mitrovicën Veriore, mandej edhe Mitrovicën Jugore, si dhe Skenderajn e Drenasin.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, hasën në rezistencë të armatosur në veri të Kosovës, por edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat penguan qarkullimin e mjeteve zyrtare.
Kujtojmë se atë ditë Policia është detyruar të përdorë mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor.
E nga ky aksion i madh në luftë kundër së keqes mbetën të lënduar disa zyrtarë policorë dhe një mori plagë nga të shtënat me armë zjarri.
Si do qoftë, aksioni kishte rezultuar i suksesshëm. Atë ditë u patën arrestuar me dhjetëra persona nën dyshimin se kanë kryer kontrabandë e krim të organizuar.
Madje, numri më i madh i të arrestuarve kanë qenë zyrtarë policorë, prej të cilëve disa me grada të larta, duke përfshirë këtu edhe një komandant të një stacioni policor. Tani pas kaq muajve me gjithë këta persona po merret drejtësia dhe secili do të jap llogari për veprat e tij.
Qalaj nuk i shpërblen policët që hetuan e luftuan krimin
Disa muaj pas aksionit të madh kundër kontrabandës e krimit të organizuar, me 26 dhjetor 2019, Policia e Kosovës organizoi një ceremoni përmbyllëse për fundvit.
Gjatë kësaj ceremonie, Qalaj në fjalën e tij të arriturat e rezultatet për vitin 2019 ua ka dedikuar zyrtarëve policor në terren, njësiteve policore, hetueseve policorë, etj.
Por, ndryshe nga fjalimi është vepruar në praktikë. Madje duket se aksioni i madh i majit nuk i ka lënë përshtypje e mund të jetë edhe pa vlerë për shefin aktual të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn.
Kjo pasi Qalajt nuk i është “kujtuar” që të jepte lëvdatë, mirënjohje apo medalje për ndonjë polic që mori pjesë në hetimet që rezultuan me aksionin e madh kundër kontrabadës e krimit të organizuar në maj të vitit 2019.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar pyetje tek Zyra për informim e Policisë së Kosovës, për të marrë një sqarim pse nuk u shpërblyen policët e aksionit, por deri në kohën e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.
Pas tri herë që dërguam pyetje kemi arritur të marrin përgjigje të pjesshme, ku tregohen emrat e 49 zyrtarëve policorë që me vendim të Komisionit të Policisë së Kosovës, morën lëvdata, mirënjohje e medalje.
Në fakt janë dhënë: Medalje Policore për Trimëri, Medalje Mburojë e Policisë, Medalje për Shërbim të Dalluar, Medalje Policore për Lëvdim, mandej Lëvdata dhe Mirënjohje.
Rrjedhimisht një pjesë e këtyre zyrtarëve do të marrin edhe para shtesë prej 150, 200 dhe 250 euro.
“Medalja për Lëvdatë – pagesa apo stimulimi shtesë është 150 euro, Medalja për Shërbim të Dalluar – stimulimi shtesë është 200 euro, Medalja për Mburojë të Policisë – stimulimi shtesë është 250 euro. Lëvdatat dhe Mirënjohjet nuk kanë vlerë monetare, pasi në këto raste jepet vetëm Certifikata si dëshmi e shpërblimit për punë të mirë”, thuhet nga Zyra për informim e Policisë për FaktePlus.
Këtu janë emrat e atyre që Komisioni në Policinë e Kosovës ka vendosur që të shpërblehen, kurse vetë drejtori Rashit Çalaj edhe ua ndau në ceremoninë e fundvitit.