A i përfundon këtë vit mandati Gjykatës Speciale dhe kur priten aktakuzat e para
Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, numër 24 në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni do të skadojë këtë vit.
Por, pavarësisht kësaj, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vet këtë gjykatë, shkruan FaktePlus.
E, në kuadër të këtij institucioni, ndonëse intervistimet janë gjithnjë e më të shpeshta, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë.
Kjo gjykatë e ka nisur me vrull punën edhe në këtë vit.
Vetëm brenda 20 ditësh, kjo Gjykatë ka ftuar për intervistim 12 ish- pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Derisa këtë vit pritet që t’i përfundojë mandati dhe Specialja të fillojë me ngritjen e aktakuzave të para për ish- ushtarët e UÇK-së, një gjë e cila po vazhdon të hedh dilema është se a ka bazë ligjore kjo gjykatë të bëjë ngritjen e aktakuzave, deri sa është në përfundim të mandatit të saj.
Avokati Tomë Gashi ka thënë për FaktePlus, se Specialja mund t’ia vazhdojë mandatin vetes, deri sa e sheh të nevojshme që ka përfunduar të gjitha punët e saj.
“Gjykata Speciale nuk e ka mandatin e caktuar që do të punojë vetëm pesë vite dhe më nuk do t’i vazhdohet mandati. Ata vetvetiu ia vazhdojnë mandatin vetes deri sa e konsiderojnë se është e nevojshme që të kryhen të gjitha punët respektivisht të përfundojnë të gjitha gjykimet që do të jenë në të ardhmen. Gjërat janë kështu dhe nuk mundet askush ta ndërprejë punën e Gjykatës Speciale, por vetëm ata mund ta ndërprejnë në momentin që e konsiderojnë që nuk është më e nevojshme”, ka thënë Gashi për FaktePlus.
Sipas tij, e vetmja gjë që mund të ndryshojë në Ligjin e Gjykatës Speciale është heqja e dispozitës ku thuhet se mund të ndiqen e akuzohen vetëm ish- pjesëtarët e UÇK-së.
“E vetmja punë që mund të bëhet në Qeverinë e re të Albin Kurtit është qe të hiqet dispozita ku do të jenë të akuzuar vetëm pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po që të mund të akuzohen edhe të tjerët në këtë rast policët dhe ushtarët serbë të cilët kanë kryer masakra në Kosovë dhe që kanë vrarë rreth 15 mijë qytetarë civil shqiptarë gjatë luftës. Kjo është e vetmja gjë që mund të bëjë Parlamenti i ri i Republikës së Kosovës me propozim të Qeverisë Kurti’, ka deklaruar ai.
Ndërsa i pyetur rreth asaj se a pritet që së shpejti të fillojë ngritja e aktakuzave të para, pas hapjes së konkursit nga Dhomat e Specializuar ku kërkohet plotësimi i 33 vendeve, Gashi nuk e ka përjashtuar këtë gjë.
“Specialja ka hap konkurs për mbi 30 vende të lira të punës të cilat definitivisht lidhen me fillimin e gjykimeve pas ngritjes së aktakuzës në Gjykatën Speciale. Se kur do të ngriten aktakuzat e para këtë mund ta dijë dhe mund ta thotë vetëm kryeprokurori i Prokurorisë Speciale në Hagë dhe askush tjetër. Por, me siguri që tani jemi në fazën përfundimtare të gjykimeve të cilat shumë shpjetë do të ndodhin. Askush nuk mund ta thotë datën, ditën, javën e saktë, por tani veq është një klimë e cila është duke u hetuar, duke parë se jemi në fillimin e gjykimeve të Gjykatës Speciale dhe kjo mund të ndodhë fare, fare shpejtë’, ka deklaruar Gashi.
Në konkursin e hapur para disa dite, e i cili ka përfunduar më 24 janar shihet se Specialja ka shpallur konkurs për vende pune si: zyrtar gjyqësor, asistent administrativ, përkthyes gjyqësor për gjuhën shqipe dhe serbe, përkthyes për gjuhën shqipe dhe serbe, asistentë reference dhe terminologjie, asistentë operativ, oficer sigurie, oficer protokolli, psikolog, asistent për transkripat e gjykatës, asistent financiar, oficer sigurie për dëshmitarë, prokuror e pozita të tjera të përshkruara.
Për këtë çështje, FaktePlus, ka kërkuar përgjigje edhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në seli në Kosovë.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, ka thënë se nuk mund të komentojnë rreth asaj se kur pritet të ngriten aktakuzat e para për ish-ushtarët e UÇK-së.
“SPO (Zyra e Prokurorit të Specializuar) nuk komenton për hetimin e saj ose kohën e akuzave të mundshme. Dhomat e specializuara janë përgjegjëse për rekrutimin si në Dhomat e Specializuara ashtu edhe në Zyrën e Prokurori të Specializuar’, ka thënë Bennett për FaktePlus.
Ndërkohë në kuadër të Prokurorisë në Hagë, po vazhdojnë intervistimet e ish- pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë në cilësinë e të dyshuarve, qoftë në cilësinë e dëshmitarëve.
E tashmë kur edhe ka filluar viti i pestë pas themelimit të këtyre Dhomave, ende nuk ka ndonjë aktakuzë.
Gjykata Speciale është formuar për të gjykuar krimet e supozuara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës më 22 dhjetor të vitit 2018 me kërkesë të 43 deputetëve, kishte tentuar ta shfuqizojë Gjykatën Speciale, por ky veprim kishte dështuar pas presionit të aleatëve ndërkombëtar./FaktePlus