Specialja fton edhe një ish-ushtar të UÇK-së
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hajrush Kurtaj, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale e Hagës.
Lajmin e ka konfirmuar vet Kurtaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Ai tha se ftesën e ka marrë sot dhe do të intervistohet me 10 shkurt në dhomat e specializuara të Hagës.
“Si një nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik, unë sot kam pranuar ftesë nga dhomat e specializuara, për t’u intervistuar më 10 Shkurt në Hagë”, ka informuar Kurtaj.
Tutje, ai tha se epoka e UÇK’së është pjesa më krenare e jetës së tij.
“Epoka e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, është pjesa më krenare e jetës sime./FaktePlus
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
Si një nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik, unë sot kam pranuar ftesë nga dhomat e specializuara, për t’u intervistuar më 10 Shkurt në Hagë.
Gjenerata ime, si shumë gjenerata të tjera, ka përjetuar shtypjen e rëndë të kombit tonë. Ne nuk jemi pajtuar me atë gjendje, dhe unë jam krenarë që i jam përgjigjur thurrjes së atdheut tim për lirinë e kombit.
Gjithë jetën kam qenë i angazhuar për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam bërë tërësisht në baza vullnetare dhe me përkushtimin më të lartë.
Epoka e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, është pjesa më krenare e jetës sime.
Të gjitha angazhimet e mia i kam realizuar me nder dhe përgjegjësi të plotë, e me krenari të jashtëzakonshne.
Përpjekja e kombit tonë për liri- ka qenë jeta jonë.
Të dashur bashkëluftëtarë,
Të nderuara familje të Dëshmorëve,
Të gjithë së bashku arritëm lirinë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës është simboli i saj.
Jam i bindur se edhe kjo Gjykatë do t’a vërtetojë luftën e drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe që do t’i ndalë goditjet ndaj të vërtetës së popullit tonë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese, më 10 Shkurt 2020.