Gruaja pranon se ishte pjesë e ISIS-it, tregon se nga kush ishte mashtruar
E akuzuara për vepra penale që lidhen me terrorizmin, Mimoza Tahiri e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur të premten në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Merita Bina-Rugova, e akuzuara Tahiri tha se vullnetarisht e pranon veprën që i ngarkohet.
“E pranoj fajësinë se jam mashtru prej burrit, edhe jam shku jo me qëllim të keq, kam shku te burri. Jam pendu, i kam ra pishmanit”, tha e akuzuara.
Ky deklarim i të akuzuarës mori mbështetjen edhe të avokates së saj, Ardita Gashi dhe prokurores Bina-Rugova, dhe u aprovua nga gjykatësi Valon Kurtaj, me arsyetimin se pranimi i fajit ishte i vullnetshëm, pa presion dhe gjente mbështetje në shkresat e lëndës.
Më pas, avokatja Gashi i ka propozuar gjykatës që me rastin e vendosjes mbi dënimin, ajo të merr parasysh si rrethana lehtësuese pranimin e fajit nga klientja e saj, faktin se ajo është nënë vetushqyese dhe se është penduar thellë për shkuarjen në zonat e luftës në Siri.
Në fund, avokatja ka propozuar që ndaj të mbrojturës së saj të shqiptohet një dënim me kusht.
Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 27 janar nga ora 09:30.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 6 janar 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Mimoza Tahirit për shkak të veprës penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, nga neni 3, paragrafi 3 të Ligjit mbi ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.
Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, pasi që i fejuari i të akuzuarës, Migjen Latifi nga muaji shkurt 2014, ka qenë në Siri, duke luftuar për organizatën terroriste ISIS, e akuzuara i është bashkëngjitur atij, edhe pse e ka ditur se veprimi i tillë është i kundërligjshëm.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 20 qershor 2014, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ka shkuar në Stamboll dhe me aeroplan tjetër, menjëherë ka vazhduar për në Gazientep, e pastaj nga aty me një automjet ka kaluar në Siri, ku i është bashkëngjitur organizatës së lartcekur dhe ka marrë pjesë në veprimtarinë e kësaj organizate, me qëllimin që duke luftuar, padrejtësisht ta detyrojnë qeverinë siriane, e pastaj edhe qeveritë e shteteve tjera, që të lënë pushtetin dhe të krijojnë “Shtetin Islamik”.
PSRK-ja pretendon se e akuzuara ka përfituar shumë të rregullt mujore nga “Shteti Islamik”, dhe u ka ofruar shërbime logjistike ushtarëve, të cilët aktivisht kanë luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit, derisa ISIS-i ka pësuar disfatë të plotë kur kanë qenë të detyruar që të dorëzohen tek forcat kurde, të cilat pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane i kanë deportuar në Kosovë, më 24 prill 2019.