Virusi në Kinë – fillon ndërtimi i spitalit, për pesë ditë gati
Qyteti Vuhan në Kinë, fokusi i virusit të ri, po ndërton me shpejtësi një spital i cili do të ketë qindra shtretër për të trajtuar pacientët e infektuar me koronavirus.
Mediat kineze raportuan se spitali mund të përfundonte deri të hënën.
Spitali po ndërtohet në një kompleks të destinuar më parë për punëtorët lokal, në kopshte pranë liqenit, në periferi të qytetit, transmeton Indeksonline
Rreth 35 gërmues dhe dhjetë buldozerë arritën në vendin ku do të ndërtohej një spital mbrëmjen e së enjtes për të përfunduar punën deri të hënën.
Kina ka rritur aktivitetet antivirus, dhe ndërtimi i një spitali të ri është një prej tyre. Vuhan, një qytet me 11 milion banorë, është thuajse tërsisht në izolim total.
Ndryshe, simptomat e këtij virusi janë; Ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje dhe në raste më të rënda, mund të shkaktojë pneumoni, si dhe dështim të veshkave.