Prokurorja “niset si në dasëm”, shkon në seancë pa shkresa të lëndës
Prokurorja Hava Krasniqi, ka shkuar pa shkresa të lëndës në seancën e rigjykimit ndaj të akuzuarit për vjedhje dhe tentim vjedhje, Ylli Alushi.
Në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, i akuzuari Alushi ishte sjellë nga burgu i Dubravës, pasi është në vuajtje të dënimit për vepra tjera penale, por që kjo seancë nuk ka arritur të mbahet, për shkak se prokurorja Krasniqi, ka thënë se nuk i posedon shkresat e lëndës.
Kjo ka bërë që gjykatësi i rastit, Gazmend Bahtiri të adresojë kritika ndaj kësaj mënyre të përfaqësimit nga prokurorja Krasniqi, e cila ka kërkuar që për shkak se nuk i posedon shkresat e lëndës, seanca e së enjtes të shtyhet për një ditë tjetër.
Veprimet e tilla, gjykatësi Bahtiri, i ka quajtur si papërgjegjësi të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pasi që raste të ngjashme sipas tij, kanë ndodhur jo rrallë herë.
Sipas tij, nuk dihet nëse këtu është faji i Administratës së Prokurorisë, për atë se siç ka thënë ai, prokurorët vijnë pa lëndë në seanca gjyqësore.
“Me këtë procesverbal të njoftohet Kryeprokurori i Shtetit lidhur me këtë çështje. Raste të njëjta kanë ndodhur jo rrallë herë”, ka deklaruar gjykatësi Bahtiri.
Seanca e radhës është caktuar më 3 mars 2020, nga ora 10:00.
Në këtë rast, përveç Alushit, të akuzuar kanë qenë edhe Xhemshit Syla dhe Adonis Plakolli.
Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, më 20 qershor 2019, të akuzuarin Alushi e kishte shpallur fajtor, ndërsa të akuzuarin Syla e kishte liruar nga akuza, derisa procedura ishte veçuar ndaj të akuzuarit Plakolli, për shkak se ky i fundit ishte i paarritshëm për gjykatën, që siç thuhej, ndodhet jashtë shtetit.
Alushi ishte dënuar me dënim unik prej tre muajsh burgim si dhe 400 euro gjobë, që sipas aktgjykimit, dënimi me burg atij mund t’i zëvendësohej me gjobë, në shumë prej 500 euro, duke bërë që në tërësi ai të dënohej me 900 euro gjobë.
Por, lënda me të cilën i akuzuari Alushi ishte dënuar dhe i akuzuari tjetër, Xhemshit Syla ishte liruar për veprat penale të lartcekura, është kthyer në rigjykim pas ankesës së bërë nga i akuzuari Alushi.
Gjykata e Apelit e Kosovës, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2019, pjesën që ka të bëjë me të akuzuarin Syla, e kishte lënë të pandryshuar, ndërsa lidhur me të akuzuarin Alushi, sipas detyrës zyrtare e kishte anuluar aktgjykimin, pjesën fajësuese, duke e kthyer lëndën në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 6 nëntor 2018, Ylli Alushi, Adonis Plakolli dhe Xhemshit Syla, akuzohen se më 1 dhjetor 2014, në intervalin kohor mes orës 01:00 dhe 02:00, në rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë, në parkingun afër servisit “Mercedes”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në bashkëkryerje kishin vjedhur afër 200 litra naftë dhe kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 220 euro.
Ndërsa, dispozitivi i dytë, akuzon Alushin, Plakollin dhe Sylën, se kishin bërë të njëjtat veprime të vjedhjes së naftës, mirëpo nga veprimi i shpejtë i të dëmtuarit Muharrem Murati, bidonët me naftë kishin mbetur në vendngjarje, bashkë me to edhe një telefon “Nokia”, i cili dyshohet të jetë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale.
Ata akuzohen për veprat penale “vjedhje” dhe “vjedhje në tentative”, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.