Osmani: Nuk kemi trysni nga ambasadorët, nga ta marrim rekomandime e sugjerime
Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po bëjnë përpjekje për të arritur marrëveshje për koalicion qeverisës, ambasadorët e akredituar në Kosovë, po i kanë shpeshtuar vizitat në këto dy subjekte politike.
Këto vizitë, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, i quan shumë të mira nga të cilët marrin sugjerime, rekomandime dhe ndihmë, por assesi trysni.
“Nuk janë trysni, janë takime të zakonshme, ku ambasadat informohen nga ana jonë se cili është qëndrimi ynë, idetë që kemi dhënë për të dal nga situata. Natyrisht marrim rekomandime, sugjerime, ndihmë, por në asnjë moment shtetet që e kanë ndihmuar Kosovë, jo vetëm të shpëtojë nga një regjim, por edhe ta ndërtojnë shtetin demokratik, nuk duhet shikuari si vende që bëjnë trysni. Në i mirëpresim të gjitha këto kontakte, ndihmë dhe sugjerimet që vijnë, e në asnjë mënyrë si trysni”, ka thënë Osmani.
Ndërsa, duke folur për vizitën e emisarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, në Kosovë gjatë ditës së enjte, Osmani ka thënë se është e mirëseardhur, pasi rikonfirmon angazhimin e SHBA-së për Kosovën.
“Sa i përket vizitës së ambasadorit Grenell, është herët që të parashihet se cilat do të jenë temat. Mirëpo, është e mirëseardhur si vizitë sepse tregon interesimin e SHBA-së për Kosovën”, theksoi Osmani.
Ambasadori Grenell, nesër do të qëndroj për vizitë në Kosovë, derisa ditën e premte do ta vizitojë edhe Serbinë, ku do të pritet nga presidenti Aleksandar Vuçiq