Pas zjarreve dhe vërshimeve, Australia në rrezik nga merimangat vdekjeprurëse
Australia tashmë është përballur me zjarre të mëdha në natyrë, vërshime dhe breshër. Megjithatë, tash ekspertët kanë paralajmëruar për një rrezik tjetër – merimangat vdekjeprurëse.
Duke qenë autoktone në shumicën e rajoneve pyjore në pjesën lindore të Australisë, disa lloje të merimangës rrjetë-hinkë janë të njohura për helmin e tyre shumë të rrezikshëm, i cili arrin efekt në mënyrë të shpejtë.
Zyrtarët e parkut të zvarranikëve me bazë në Somersby thanë se aktiviteti i këtyre merimangave është rritur ditëve të fundit.
“Për shkak të reshjeve të fundit dhe tashmë ditëve të ngrohta që po i përjetojmë, merimangat rrjetë-hinkë do të fillojnë të lëvizin”, tha zëdhënësi i këtij parku, Daniel Rumsey.
“Ky lloj i merimangave janë ndër llojet më të rrezikshme në botë sa i përket kontaktit me njerëz dhe ne duhet ta trajtojmë këtë çështje shumë seriozisht”, shtoi ai.
Rumsey tha se helmi i këtyre merimangave është shumë i rrezikshëm dhe mund t’i vrasë njerëzit, duke paralajmëruar se tash për tash ekzistojnë kushte të përkryera klimatike për përhapjen e tyre, shkruan “CNN”.