Kjo është deklarata zyrtare e LDK-së pas mbledhjes së Kryesisë
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën është diskutuar për situatën politike pas mandatimit të Albin Kurtit për kryeministër nga presidenti Hashim Thaçi.
Në këtë mbledhje është thënë se LDK-ja, fton Lëvizjen Vetëvendosje, si parti e parë dhe që ka përgjegjësinë për të formuar institucionet e reja, që të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të arritur marrëveshjen me LDK-në.
Deklarata e plotë:
Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës trajtoi situatën politike pas mandatimit nga ana e Presidentit të kandidatit për Kryeministër.
LDK-ja vlerëson që vendi ndodhet në një situatë të rëndësishme politike, meqë tashmë implementimi i vullnetit politik të qytetarëve, shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, në bazë të dispozitave kushtetuese, është i afatizuar.
LDK-ja, edhe një herë, shpreh vullnetin për marrëveshje politike të balancuar me Lëvizjen Vetëvendosje, që do të reflektonte në tërësi rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.
Kryesia e LDK-së konsideron që marrëveshja e propozuar nga Ekipi negociues i LDK-së, e mbështetur në orientimet e Këshillit të Përgjithshëm, e reflekton në tërësi rezultatin e zgjedhjeve, garanton përfaqësim dhe përgjegjësi të balancuar, që janë të domosdoshme për funksionimin e institucioneve dhe për demokracinë në vend.
LDK-ja fton Lëvizjen Vetëvendosje, si parti e parë dhe që ka përgjegjësinë për të formuar institucionet e reja, që të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të arritur marrëveshjen me LDK-në./FaktePlus