Foli Trump e gjithë të tjerët, por Vetëvendosje asnjë fjalë për linjën ajrore Prishtinë-Beograd
Aviokompania Lufthansa ka njoftuar autoritetet e Kosovës se së shpejti do ta hapin linjën ajrore Prishtinë – Beograd.
Kjo është bërë në një ceremoni në Ambasadën Amerikane në Berlin, në prezencën e të dërguarit special të Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa ia kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, është shprehur se kjo letër është një hap tjetër përpara në angazhimin e institucioneve të Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.
“Me këtë vihet kontakti në mes dy autoriteteve të aviacionit civil, në mes të Kosovës dhe Serbisë, si partnerë të barabartë. Por, ky është hap i parë drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapjen e korridoreve ajrore me gjitha shtetet përreth saj. Nga kjo do të përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Prishtinës”, u shpreh ai.
Hapjen e kësaj linje e kanë mirëpritur edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi e zyrtarë të tjerë.
Por, pothuajse të vetmit që nuk kanë reaguar janë partia e Albin Kurtit, të cilët edhe po synojnë që të qeverisin me vendin.
FaktePlus, ka kërkuar përgjigje në Lëvizjen Vetëvendosje për këtë çështje, por se këta të fundit nuk kanë dashur të deklarohen.
Ajo që krejt kanë thënë është se ende nuk kanë diçka zyrtare.
“Ende nuk kemi diçka, sapo te kemi diçka të re ju njoftoj”, ka thënë shkurt, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
Ndërsa, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“E mirëpres nënshkrimin e Letrës së Qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd. Sigurisht që kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shpreh mirënjohjen e thellë për ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”, tha presidenti.
Ndërsa, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ka quajtur hap gjigant nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e linjës ajrore.
“Nisma për të hapur rrugën e tretë ajrore civile të Kosovës për fluturime komeraciale në Serbi, pas Shqipërisë dhe Maqedonisë është një hap gjigant për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe konsolidimin e sovranitetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Këtë marrëveshje e ka përshëndetur edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Madje Trump, këtë marrëveshje e ka konsideruar historike.
“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhet. Por, për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Faleminderit ambasadorit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, si dhe ambasadorit Richard Grenell”, ka shkruar presidenti amerikan në Twitter.
Kurse, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, në anën tjetër ka thënë se kjo gjë mund të realizohet pas largimit të taksës ndaj mallrave serbe dhe pas rifillimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Përpos 12 autobusëve që i lidhin rregullisht Beogradin dhe Prishtinën, ne poashtu mund të kemi një linjë ajrore në të ardhmen”, tha Gjuriq.
Sipas tij, zyrtarët e Beogradit do t’i njoftojnë UNMIK-un dhe KFOR-in për këtë qëllim./FaktePlus