Zyrtarët e LVV-së dhe LDK-së nuk përjashtojnë rikthimin e bisedimeve në tavolinë
Dy partitë që dolën me më së shumti vota nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare të arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit i mbesin vetëm edhe 14 ditë, që nga sot, që të arrijë marrëveshje për koalicion, e të sigurojë numrat e nevojshëm në Kuvend për formim të qeverisë.
Koha tashmë po ecën mbrapsht pas dorëzimit zyrtar për mandatar që është bërë dje tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
E për t’u arritur një marrëveshje mes dy partive, LVV dhe LDK tash e një kohë po mbajnë takime të vazhdueshme. Deri tani takimet kanë rezultuar pa sukses dhe ato janë ndërprerë e po bëhen me oferta të publikuara në media.
Por, tani meqë ditët kanë nisur të numërohen, një takim mes liderëve të dy partive mund të realizohet së shpejti. Kështu së paku thonë zyrtarët për informim si nga LVV e LDK.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se nuk përjashtohet mundësia për takim me Lëvizjen Vetëvendosje dhe lëvizje mund të ketë çdo dy orë.
“Deri në këto momente nuk është caktuar ndonjë gjë, nga ora 14:00 LDK e ka mbledhjen e Kryesisë, por jo edhe ndonjë takim me LVV-në. Për ndonjë takim, i cili mund të ndodhë ad-hock do të jeni të njoftuar. Ky 15 ditësh mund të sjell lëvizje çdo dy orë për takime të mundshme, por deri në këto momente nuk ka pasur ndonjë gjë por nuk përjashtohet mundësia që do të ketë takim me LVV-në”, ka thënë Mustafa për FaktePlus.
Edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka tha për FaktePlus se nuk përjashtohet mundësia e takimit me LDK-në.
“LDK e ka mbledhjen e Kryesisë kështu që nuk është paraparë ndonjë takim, të paktën deri tani nuk kemi ndonjë vendim. Mirëpo nuk po e përjashtojë mundësinë e takimit, por nuk kam ndonjë informacion se a do të ketë ndonjë takim apo jo”, ka thënë Manxhuka.
Kujtojmë se Albin Kurti ka në dispozicion një afat prej 15 ditësh (nga sot 14) që të formojë qeverinë ose të lëshojë rrugë për të tjetër që kanë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.
Formimi i qeverisë së re duhet ta ketë përkrahjen me vota të shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Kosovës ose të 61 deputetëve.
Në anën tjetër, që pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar një koalicion qeverisës.
Të dy këto subjekte politike, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 nëntor, kanë punuar për harmonizimin e një programi qeverisës dhe në parim janë marrë vesh edhe për ndarjen e dikastereve qeverisëse. Megjithatë, ato nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për koalicion qeverisës.
Më 26 dhjetor, është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ky veprim, sipas zyrtarëve të LDK-së e ka kthyer situatën në pikën zero për sa i përket një marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që pjesë e marrëveshjes për koalicion ishte planifikuar të ishte edhe pozita e kryetarit të Kuvendit.
Të dy partitë, LVV dhe LDK, kanë paralajmëruar se do t’i qasen sërish bisedimeve për gjetjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, por deri më tash ende nuk është saktësuar se kur do të ketë ndonjë takim ndërmjet zyrtarëve të dy partive./FaktePlus