KDI kërkon më shumë transparencë për marrëvshjen në Berlin
Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e fluturimeve komerciale, Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës që të njoftojnë publikun mbi përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje dhe implikimeve të saj.
Ky institut u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të përkushtohen për transparencë dhe llogaridhënie.
“Qytetarët e Kosovës janë të painformuar mbi përmbajtjen e saj dhe procesin vendimmarrës që i ka paraprirë arritjes së kësaj marrëveshjeje. Për më tepër, publiku nuk ka informacion për implikimet që kjo marrëveshje mund të sjellë, p.sh. me çfarë dokumente udhëtimi do të mundësohet udhëtimi i qytetarëve në mes të këtyre dy kryeqyteteve dhe çështje të tjera që derivojnë nga kjo marrëveshje”, thuhet në postim.
Ndryshe, diplomatët amerikanë e organizuan të hënën nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e fluturimeve komerciale me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve ballkanike