105 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve, nuk ka takim në vikend
Albin Kurti dhe Isa Mustafa s’kanë lëvizur as sot në drejtim të arritjes së marrëveshjes për Qeverinë e re. Në Vetëvendosje dhe LDK kanë konfirmuar se kanë pajtim të mos takohen sot. Dy liderët e partive s’kanë pasur as komunikim me letra dhe telefon gjatë këtyre ditëve.
Hashim Thaçi ka nisur të bëjë presion të ri mbi Albin Kurtin për ta pranuar mandatin për formimin e Qeverisë. Shefi i Shtetit tha sot se po planifikon ta mandatojë fituesin e zgjedhjeve edhe nëse s’i shkon emrin në Presidencë.
Ndërkohë, në Lëvizjen Vetëvendosje kanë konfirmuar se s’kanë planifikuar asnjë takim me zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Të njëjtën përgjigje e kanë dhënë edhe në LDK. Kanë thënë se s’ka asnjë lëvizje në drejtim të një takimi të ri mes dy liderëve që po synojnë të ndërtojnë Qeverinë. E kanë lënë të hapur mundësinë të ketë gjatë javës së ardhshme.
“Ose do të ketë takim përfundimtar ose s’shkojmë në tavolinë për të treguar se s’jemi pajtuar”, ka thënë një zyrtar i LDK’së që s’ka dashur t’i përmendet emri.
Ndërkohë, kanë kaluar 105 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe Vetëvendosje doli fituese. 24 ditë kanë kaluar prej se është votuar Kryetari i Kuvendit dhe është hapur mundësia e votimit për Qeverinë e Kosovës.
Dy liderët e partive, VV-së dhe LDK-së kanë ndërprerë takimet për më shumë se një javë dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra tjetrës se si të formohet qeveria.
Deri më tash VV dhe LDK kanë dështuar ta arrijnë marrëveshje shkaku i mospajtimeve për të ndarë pozitat shtetërore. Tash janë bllokuar te pozita e Kryetarit të Kuvendit që e ka marrë Vetëvendosje në seancën e 26 dhjetorit.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë dështuar të arrijnë marrëveshje edhe më shumë se tre muaj prej se kanë përfunduar zgjedhjet. Madje, s’janë pajtuar për ndarjen e pozitave as pas votimit të Kryetarit të Kuvendit në fund të vitit të kaluar. Prej gjashtë muajsh, Kosova vazhdon të funksionojë me Qeveri në dorëheqje.
Albin Kurti dhe Isa Mustafa ishin takuar një ditë pasi kishin përfunduar zgjedhjet e 6 tetorit. Kishin thënë se koalicioni do të arrihej më së largu 72 orë pasi të certifikoheshin zgjedhjet. Tash, kur më 26 dhjetor është votuar Kryetari i Parlamentit, Vetëvendosje po refuzon të kthehet prapa dhe të shkarkojë ose detyrojë të japë dorëheqje njeriun që i kishte qëndruar Kurtit afër edhe kur pjesa më e madhe e njerëzve të partisë ia kthyen shpinën.
Kurti ka thënë se Glauk Konjufca s’është Kadri Veseli për ta shkarkuar kur dy liderë partish merren vesh