Që të kursejnë buxhetin e familjeve, nxënësit i qepin vet uniformat shkollore
Bardhë Suhogërlla, nxënëse në shkollën profesionale “Qendra e Kompetencës” në Skënderaj, së bashku me 28 shoqet e saj, mezi po presin që të fillojnë qepjen e uniformave për klasën e tyre.
Ato do ta ndjekin “traditën” që po bëhet tash e pesë vjet, duke e kursyer kështu buxhetin familjar.
“Unë dhe shoqet e klasës jemi shumë të entuziazmuara për ta filluar procesin e qepjes. Gjithçka është gati, duke filluar nga makinat përkatëse e deri te skica finale”, tha Suhogërlla, nxënëse në klasën e XI-të.
Ajo tutje shtoi që ndihet shumë mirë që ka mundësi të kursejë një shumë sado të vogël nga shpenzimet e familjes dhe njëkohësisht ta shfaqë kreativitetin e saj përmes praktikës.
Qepjen e uniformave shkollore e kanë bërë edhe katër gjenerata të tjera të fushës së artit, përkatësisht profili Dizajn i Modës, duke numëruar deri më tani rreth 112 mantele të dizajnuara nga vetë nxënëset.
Ideja që dizajneret e ardhshme ta kryejnë vetë këtë punë ishte e dy profesoreshave të dizajnit dhe tekstilit, Marigona Lushtaku-Ahmeti dhe Valmire Shabani-Hyseni.
“Iniciativa ka qenë e ne profesoreshave të dizajnit për ta respektuar kodin etik të veshjes dhe për të krijuar diçka sa më komode për vajzat”, tha Marigona Lushtaku-Ahmeti.
Ajo tregoi gjithashtu që procesi i qepjes planifikohet që të fillojë në shtatorin e vitit të ardhshëm, sepse sipas saj, kostoja e materialeve këtë vit ka qenë më e lartë.
Vajzat do ta paguajnë vetëm materialin e uniformës, që afërsisht do të jetë 10 deri në 15 euro.
Për dallim nga katër vjetët e kaluar, këtë herë uniforma do të jetë më ndryshe. Manteli me ngjyrë vishnjeje do të zëvendësohet me pantallona të zinj, këmishë të bardhë ose ndonjë ngjyrë tjetër dhe logon e QKS-së me ngjyrë portokalli. Kështu mendohet të jetë uniforma kësaj radhe, sipas dizajneres Valmire Shabani-Hyseni.
Megjithëkëtë, jo të gjitha uniformat dizajnohen dhe qepen në këtë shkollë.
Drejtori Armend Bajraktari thotë se një pjesë e rrobave identifikuese të nxënësve kryhet nga ndërmarrjet përkatëse të veshjeve, sepse janë më të ndërlikuara për t’u qepur dhe marrin shumë kohë.
Ai gjithashtu tregoi që nga institucionet publike pothuajse asnjëherë nuk kërkojnë para për kryerjen e këtyre shërbimeve nga nxënësit.
Këta të fundit kanë ofruar shërbime edhe ndaj Shtëpisë së Shëndetit në Skënderaj, duke qepur perde, çarçafë dhe mbuloja për dhomat e pacientëve, si dhe kanë ndihmuar në zgjidhjen e disa problemeve teknike nëpër shkolla fillore.
Shkolla profesionale “Qendra e Kompetencës” në Skënderaj është themeluar më 1 dhjetor tw vitit 2010 si donacion i Qeverisë Norvegjeze, së bashku me MASHT-in.
Deri më tani në këtë objekt janë investuar afro tetë milion euro. Këtë vit shkollor janë gjithsej 610 nxënës, ku 220 prej tyre janë në klasën e dhjetë, ndërsa drejtimet që shkolla i ofron, përveç artit, janë: Ndërtimtari e Lartë, Ndërtimtari e Ulët, Energji dhe Mjedis.