Pacolli: Serbia arreston serbin, ky i fundit punon në kompani kosovare
Rrahim Pacolli nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, ka thënë se sipas informatave që posedon, në pikën kufitare të Jarinjës është arrestuar sot Milan Vukashinoviq.
Sipas Pacollit, arsyeja e këtij arrestimi duket të jetë fakti se Vukashinoviq është i punësuar në një kompani kosovare dhe një gjë të tillë strukturat shtetërore të Serbisë po e konsiderojnë si pranim të shtetit të Kosovës.
Postimi i plotë i Pacollit:
Arrestohet nga Serbia, sepse punon në kompani kosovare
Në pikën kufitare të Jarinjës është arrestuar sot Milan Vukashinoviç, punonjës i Byrosë Kosovare të Sigurimit, sipas informatave që posedojmë.
Arsyeja e këtij arrestimi duket të jetë, sepse z. Vukashinoviç është i punësuar në një kompani kosovare dhe, një gjë të tillë strukturat shtetërore të Serbisë po e konsiderojnë si pranim të shtetit të Kosovës.
Tash për tash, ai është duke u marrë në pyetje nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë të ardhur nga qyteti i Kralevës.
Raste të ngjashme me punëtorët serbë të Byrosë kanë ndodhur edhe më parë. Andaj, duke i pasur parasysh këto raste i dënojmë ashpër veprimet kriminale të Serbisë dhe njëkohësisht kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë dhe të ndikojë të autoritetet e Serbisë për lirimin e menjëhershëm të qytetarit të Kosovës, Milan Vukashinoviç./FaktePlus