IKSHP: Askush s`po bën asgjë kundër ndotjes alarmante
Në shumicën e ditëve të dy muajve të fundit, ajri në Kosovë ishte dhe po vazhdon të jetë jo i shëndetshëm.
E për ndotjen e ajrit në vazhdimësi mjekët dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë alarmuar se kjo po kërcënon shëndetin e popullatës.
Madje, rekomandime të shumta janë dhënë nga ta për masat urgjente që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse në mënyrë që të përmirësohet gjendja.
Por, pavarësisht kësaj, pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar.
Kështu efektet e ndotjes së ajrit po çojnë drejt rritjes së numrit të të sëmurëve me astmë bronkiale, atyre me bronkite kronike, sëmundjet kronike të mushkërive te moshat e shtyra, të sëmurëve nga kanceri, shkurtimin e jetës, si dhe rritjen e shkallës së vdekshmërisë.
Mosreagimi i institucioneve për t’i parandaluar faktorët që po ndikojnë, siç janë ndalimi i qarkullimit të veturave të vjetra në trafik dhe ndalimi i përdorimit të thëngjillit për ngrohje, po i shqetëson mjekët.
Por, ministri në detyrë i Mjedisit është mburrur se thëngjillin megjithatë e kanë ndaluar në institucione publike dhe që i njëjti t’u shpërndahet punëtorëve të KEK-ut.
Megjithëkëtë, mjekët rekomandojnë qytetarët që të marrin masa individuale.
Të shqetësuar me ajrin e rrezikshëm janë edhe qytetarët, të cilët kritikojnë institucionet se nuk po ndërmarrin masa.
Shpesh Prishtina nga ajri i ndotur, ka lënë pas edhe shtete si India e Kina, vende këto ku së paku 4 persona vdesin brenda ditës nga sëmundje që shkaktohen ose përkeqësohen nga ajri i ndotur./FaktePlus