“ITAKA – KY VEND I PASHMANGSHËM”-Vështrim mbi romanin “ITAKA”
Teksa ke lexuar dy veprat e tij të mëparshme dhe pret me padurim të tretën, ja ku erdhi romani befasues “ITAKA” (botuar nga Onufri) si pjesë përmbyllëse e trilogjisë, “KREUZTANNE”, të cilën pas leximit, e fusim në atë që mund ta quajmë, “Tresor” i letërsisë shqipe dhe jo vetëm.
Nëse në vitin 2016, kur publikoi romanin e parë “Kreuztanne” befasia më detyroi të shkruaja se: “Askush
nuk mund të na e mbushë mendjen ne dhe asnjeriu tjetër, se ky libër është libri i parë i Fate Velajt, por as i fundit…” tashmë, duke lexuar romanin e tij të dytë, “NILKON” dhe përjetuar jehonën ndërkombëtare të tyre përkthyer në disa gjuhë të huaja, Fate Velaj, me „ITAKA“ ka krijuar një ngjarje të re artistike dhe historike: një trilogji autobiografike për të cilën e kemi të vështirë ta ndajmë nga imagjinata, pasi, mjeshtëria e rrëfimit të autorit, kap majat e saj.
Fate Velaj zotëron kohën, ulet këmbëkryq brenda saj dhe e përdor atë si një urë për të bashkuar hapat e botës në udhën e tij. Gjatë gjithë rrëfimit letrar në roman, ai, nëpërmjet monologut për jetën, e përdor atë, për të paralajmëruar ngjarje e fenomene, të cilat do të vijnë së shpejti në të ardhmen e tij që e përjeton si të tashmen.
Kështu, falë aftësive të larta krijuese, ai na rrëfen si komunikon me malet, me gjethet e parkut, me ketrat brenda tij, zogjtë që fluturojnë, si dhe me ata zogj pa krahë që qëndrojnë brenda veshëve të tij, me blunë e detin e shkëmbinjtë, me tubetat e ngjyrave dhe penelat kur pikturon, si dhe me notat e simfonive të Beethovenit, e me mosdëgjimin e tij kur i kompozonte ato për të krijuar një lëvizje të re shpirtërore në letërsi nëpërmjet artit të trefishtë që ai zotëron, duke i vendosur ato në një balancë me kohën, subjektin, gjendjen e brendshme të ngarkuar emocionalisht dhe pasurisë leksikore mbushur përplot me imazhe artistike, të cilat ndikojnë estetikisht tek lexuesi.
Një vajzë 15 vjeçare ndjek lëvizjen e akrepave të orës në një kohë që piktorët mbushin telajot me ngjyrat e jetës. Koha lëviz. Lumenjtë derdhen në det. Poetët lexojnë poezitë. Aktorët interpretojnë drama. Arti përmirëson kohën dhe njerëzit.
Por, ITAKA qëndron aty ku ka qenë dhe përçon idenë e mos harrimit të kthimit, duke medituar mbi “kurthin e kujtimeve” që gjithmonë e shtyjnë për të ndjekur baladën e tokës së vet. Tematika epike e kësaj vepre të re na çon në marrëdhënien e autorit me rrënjët. Ato të vendlindjes që janë shtrirë brenda trupit të tij. Njohja e aftësive letrare, ndërtimi i kompozicionit dhe detajet artistike përbëjnë stilin unik të autorit. Romani ka vetëdijen e brendshme të autorit që përfaqëson edhe personazhin kryesor me perceptim origjinal të unitetit estetik dhe mjeteve gjuhësore pasi, një rrjedhë metaforash e krahasimesh përshkon gjithë romanin. Trajtimi i vërtetë artistik nëpërmjet ngjarjeve të jetuara dhe atyre imagjinare karakterizojnë personazhet e romanit plotësuar me mjete gjuhësore dhe figura letrare. Si një artist i pikturës dhe fotografisë, Fate Velaj ndjek ëndrrat e tij të “Kujtime nga e ardhmja” duke na shfaqur cilësi të larta intelektuale, psikologjike e letrare saqë, krijesat njerëzore e shpirtërore na i sjell jo vetëm si letrare por dhe origjinale për vetveten dhe për lexuesin. Me anë të “ITAKA” Fate Velaj na sjell një letërsi ndryshe tek e cila përshkruan dhe zbulon të brendshmen e tij dhe tonën, por, me një vetëdije kreative, njëkohësisht dhe të jashtmen në thellësi të qenies njerëzore.
Kjo është edhe një risi e romanit “ITAKA”, ku autori, gjatë narracionit të romanit, nëpërmjet vetvetes, përshkruan personazhet dhe ngjall kërshërinë e lexuesit, duke shenjuar realisht një letërsi të re, e cila hap portën e universit të letërsisë së sotme shqipe.
Nëse ai në roman gjatë realizimit të veprës në pikturë “Rapsodia e blusë së jugut” përshkruan sesi në mënyrë të pa vetëdijshme autori pikturon çelësa, brava dhe simbolika të tjera të cilave nuk ua di kuptimin apo përse i krijoi ato, unë jam mëse e bindur se ato janë paraardhëse të kujtimeve nga fëmijëria dhe vendlindja, aty ku Vlora mbetet Itaka e tij e përjetëshme, që e fshin errësirën, bën dritën dhe e thërret “…Eja. Eja. Eja.”
Duke përdorur monologun si një autodialog, ndjehet mjeshtëria e rrëfimit të autorit, stili individual, formimi estetik dhe stilistik i kompozicionit si një risi tjetër në kulturën gjuhësore.
Përmbajtja e personalizuar, udhëtimet mbushur plot ngjarje e përjetime janë po aq të besueshme dhe reale sa ç`i ka besuar njerëzimi për mijëra vite kthimit në Itakë të Odiseut edhe vetë Homerit që e shoqëroi atë gjatë udhëtimit. Në pikëshikimin kohor dhe kontekstin kuptimor, formësimi i personazhit autentik që shprehet me anë të kujtimeve të tij jetësore, shënon proçesin më të lartë të vetëdijes, si një mit i paharrueshëm. Raporti i personazhit kryesor me personazhet e tjera në roman nuk kanë një lidhje të theksuar fiksioni por janë reale siç janë nëna Afro, babai Melo, e shoqja Klara apo fëmijët Helena dhe
Romel, etj, të cilët, Fate Velaj i trajton jo vetëm si pjesë të tij por si të ishin nëna, babai apo fëmijët tanë. Librin e përshkon dashuria e madhe njerëzore që përcjell mesazhin për jetën dhe vdekjen duke zbuluar në këtë mënyrë edhe shpirtin shqiptar nëpërmjet artit të fjalës.
Me një përsosmëri artistike shfaqet në roman nëna, kjo qenie e cila edhe pse enigmat e saj thuajse janë si erërat që fryjnë e ndalojnë sa herë flasim e mendojmë për të, autori, na e paraqit jo vetëm në unksionin e dhembshurisë, por edhe si një bashkëbiseduese gjatë rrugëtimit të tij për në ITAKA.
Kështu të paktën e përshkruan edhe Ismail Kadare nënën, në romanin e tij ”Kukulla”. Nëna gjithnjë e kudogjindur, e bën natën ditë dhe terrin dritë. Qyshkur lind jeta e çdo njeriu nëna përfaqëson tokën. Vendlindjen. Por, nëse tek “Kukulla” Kadare rrëfen marrëdhënien e tij me nënën dhe fenomenin “Nënë”, Fate Velaj e trajton atë nga një këndvështrim tjetër, i parë nga afër, brenda mureve të shtëpisë në Vjenë por edhe nga larg, nga Vjena në Vlorë me mallin e pritjes, me perden e mbledhur pranë dritares, se mos vallë djali rikthehet përpara kohës së lajmëruar. Një nënë pret përditë në ITAKA që Melo, i shoqi i saj, ta thërrasë për t’iu bashkuar brenda mermerit të bardhë. Zemra e nënës si simbol i dashurisë së pakufishme, e shtyn Fate Velajn ta ngrejë në piedestal rrëfimin dhe përshkrimin e shkëlqyer për nënën e tij, saqë lexuesi, nuk ka forcë të brendshme shpirtërore e mendore që ta detyrojë atë ta fshehë përlotjen.
Ajo, edhe pse lëviz ngadalë rreth njerëzve dhe pret pas perdes, kthehet në një figurë të madhërishme e cila qëndron në të gjitha ngjyrat e shenjtorëve kishave mesjetare, muzeve të kohës apo letrave të fjalës artistike. Prandaj, në fund të librit, ajo u lutet shenjtorëve mos ta shohin fëmijët duke lënguar; mos ta puthin të sëmurë me erën e ilaçeve dalë nga fryma por, iu lë atyre amanetin e fundit që, kur të mbyllë sytë, mos ta çojnë ngjyrë bezhë nga mungesa e gjakut tek i shoqi, por të krehur, të lyer me krem e buzëkuq, ashtu si vetë fëmijët dhe i shoqi e kishin parë tërë jetën.
Përfundimisht, trilogjia KREUZTANNE (KREUZTANNE, NILKON dhe ITAKA) e Fate Velaj, është një nga pasuritë më të mëdha të letërsisë shqipe dhe një pashaportë diplomatike e saj për rrugëtimin e gjatë brenda letërsisë botërore.