Dënohet me burg me kusht për pjesëmarrje në ISIS e kthyera nga Siria
Gjykata e Prishtinës e ka shpallur sot fajtore Edonë Berisha, e akuzuar për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS.
Për këtë vepër, Edonë Berisha u dënua me burgim me kusht në kohëzgjatje prej dy vitesh.
Sipas Gjykatës, dënimi nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara në afat prej 3 vitesh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale.
Po ashtu, të akuzuarën e obligoi që ta përmbushë detyrimin – vizitë te psikologu ose këshilluesi, duke e urdhëruar Shërbimin Sprovues të Kosovës që të bëjë mbikëqyrjen e kësaj mase.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, e mbajtur dje, Edonë Berisha kishte pranuar fajësinë.
Aktakuza shpjegon se Edonë Berisha me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e ISIS-it, në atë mënyrë që i është bashkangjitur kësaj organizate terroriste, duke e përkrahur atë dhe veprimtaritë e saj si dhe qëllimin që duke luftuar padrejtësisht, të detyrojnë qeverinë siriane e pastaj edhe qeveritë e shteteve të tjera që të lënë pushtetin dhe seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturën kushtetuese ekonomike dhe sociale dhe të krijojnë Shtetin Islamik në Irak dhe Levant.
Aktakuza shpjegon rrugëtimin e të akuzuarës dhe të 4 fëmijëve të saj drejt Sirisë, ku e kishte burrin, dhe atje është regjistruar pjesëtare e grupit terrorist ISIS.
Aktakuza thotë se e njëjta duke e përdorur shumën mujore të të hollave nga ISIS i ka ofruar shërbime logjistike bashkëshortit Burimit, i cili aktivisht ka luftuar e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik brenda Sirisë, deri sa është dorëzuar te forcat kurde në kampin Roi, e pastaj nga aty me ndihmën e ushtrisë amerikane i kanë deportuar në Kosovë më 22.4.2019.
Më këtë Prokuroria po e ngarkon se ka kryer veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist./FaktePlus