Nëse LDK dhe VV kanë nevojë, njeriu më i afërt i Merkel i gatshëm të vizitoj Kosovën
Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës e kërkon me ngulm edhe Berlini zyrtar. Me qëllim të lehtësimit dhe shtytjes përpara të negociatave mes LDK’së dhe Vetëvendosjes më 19 dhjetor për një vizitë zyrtare në Prishtinë kishin qëndruar dy deputetët gjermanë, Peter Beyer dhe Christian Schmidt. Këta kishin dhënë mesazhe shumë të qarta atë ditë, duke kërkuar që palët të arrijnë një koalicion dhe të mos dështojë marrëveshja për shkaqe teknike.
Megjithatë kur kanë kaluar pothuajse 1 muaj nga ajo vizitë e dy deputetëve gjermanë, LDK dhe Vetëvendosje kanë mbetur po në të njëjtat pozicione dhe Kosova ende nuk ka qeveri të re.
E njeriu i kancelares Merkel, Peter Beyer, shprehet i gatshëm të udhëtojë përsëri në Kosovë në rast se një gjë e tillë konsiderohet se mund të sjellë dobi nga LDK dhe Vetëvendosje.
“Kurdo që partitë politike në Kosovë e gjykojnë të dobishme, unë do të jem i gatshëm të udhëtoj përsëri”, ka thënë Peter Beyer.
I pyetur nga Express se cili është mesazhi për dy partitë tashmë kur procesi për krijimin e institucioneve të reja ka ngecur për më shumë se 3 muaj, Beyer thotë se ka besim që dy palët do të veprojnë me përgjegjësi marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë hedhur votën e tyre 3 muaj më parë. Unë kam gjithë besimin tek aktorët politikë se do të veprojnë me përgjegjësi bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme, gjë që gjithashtu nënkupton krijimin e një qeverie solide, stabile dhe plotësisht funksionale në kohën e duhur”, ka thënë Beyer.
Deputeti i partisë së kancalares Merkel gjatë vizitës së fundit në Prishtinë u kishte bërë thirrje dy partive që të kishin më shumë besim në njëra-tjetrën dhe që të mos e dështonin koalicionin për çështje teknike.
Gjithashtu Beyer kishte theksuar se nuk do të ndërhyjnë në brendësi të negociatave.
“Ajo çfarë ne po bëjmë është që nuk po ndërhyjmë brenda negociatave të koalicionit, nuk është qëllimi ynë. Por erdhëm për të dëgjuar rreth bisedimeve që po bëhen. Një gjë që duhet kuptuar që negociatat për koalicion kanë mbërritur në një pikë, që të gjithë duhet kuptuar që nuk duhet humbur kohë me detaje teknike. Duhet shikuar në sy njeri tjetrin, pasi që besimi është esenca. Duhet besuar njëri tjetrin dhe nuk duhet humbur në detaje teknike. Koalicioni ka ardhur në një pikë që ata nuk duhet të prishin këtë vullnet në detaje teknike”, kishte thënë Beyer në vizitën e 19 dhjetorit në Prishtinë.
Pas zhvillimeve të 26 dhjetorit, kreu i LDK’së, Isa Mustafa dhe ai i VV’së, Albin Kurti, janë takuar 3 herë, ndërkohë nuk ka pasur asnjë rezultat konkret. Tashmë takimet janë pezulluar dhe dy partitë i kanë dërguar oferta të shkruara njëra tjetrës. LDK dëshiron të marrë prapë pozitën e kryetarit të Kuvendit, e të njejtën t’ia kthejë VV’së ditën që zgjidhet presidenti i propozuar nga LDK.
Ndërkohë VV’ja nuk e përfshinë në ofertë kthimin e pozitës së kryetarit të Kuvendit, por ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Mustafa ka thënë se do të takohen me Kurtin vetëm nëse pajtohen për arritjen e marrëveshjes.