A do sakrifikohet Glauk Konjufca për t’u arritur marrëveshja VV – LDK
Në ofertën që i ka dërguar Vetëvendosjes, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që tash ta ketë postin e Kryetarit të Kuvendit, por do ta lëshojë pas një viti, në momentin që kandidati i saj zgjidhet President.
Me këtë gjest, LDK-ja e ka vendosur VV-në në pozicion defanziv, pasi është treguar më gjeneroze në ndarjen e pushtetit.
Nga Lëvizja Vetëvendosje ishin kategorikisht kundër që ta jepnin Kryetarin e Kuvendit. Ata kanë thënë se nuk pranojnë assesi që të dorëhiqet Glauk Konjufca.
Nënkryetari i VV-së është zgjedhur Kryetar i Kuvendit më 26 dhjetor 2019, pas një seance befasuese konstituive. Albin Kurti kishte thënë se po shkonte në seancë pa marrëveshje me LDK-në dhe kishte nënkuptuar se do të propozojnë kandidat. LDK kishte thënë se “nëse VV dëshiron ia japin votat blanko”. Me gjasë duke mos besuar asnjëra palë të tjetra, zgjedhja e Konjufcës ishte rastësi, apo një mbajtje e dhunshme e fjalës nga të dy partitë.
Konjufca deri më tash ka mbajtur vetëm takime me palë të ndryshme, vendore e ndërkombëtare. As më shumë se një muaj nuk ka mbushur në këtë detyrë dhe do të pritet nëse ai vetë do të dorëhiqet apo partia do ta sakrifikojë atë, për hir të marrëveshjes. Ndoshta ai mund të kthehet në këtë pozitë, pas një vitit, nëse VV-ja pranon ofertën e LDK-së.
“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës)”, shkruan në ofertën e LDK-së.