Daut Haradinaj është koha që Vuçiq të reflektojë, mbështet deklaratën e shteteve të Quintit
Deputeti i AAK’së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas deklaratës së përbashkët të ambasadorëve të Quintit, të cilët edhe një herë e cekin faktin se Masakra e Recakut është kryer nga forcat serbe dhe që ishte ajo një ndër arsyet kryesore të ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë.
Ambasadat reaguan pasi që presidenti i Serbisë kishte thënë se Masakra e Reçakut është fabrikim.
“Deklarata e Ambasadorëve të SHBA, Britanisë se Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë e rikonfirmon edhe njëherë se masakra e Reçakut ndodhi bashkë me masakrat tjera dhe këtë e bëri Serbia”, ka thënë Haradinaj.
Tutje ai thotë se ka ardhur koha që Vuçiqi të reflektojë, dhe thotë se klika e tij është pasardhëse e Sllobodan Millosheviqit.
“Pas 21 viteve mohimi, është koha e fundit që Aleksandër Vuçiqi e klika e tij trashëgimtare e Slobodan Millosheviqit të reflektojë, ta pranojë gjenocidin e të kërkojë falje nëse don paqe dhe stabilitet në rajon”
“Të gjithë duhet të dinë se përderisa Serbia po vazhdon të jetë sateliti Rus në Ballkan edhe Evropë, si Kosovë mbetemi fuqishëm të rreshtuar me SHBA-të e shtetet tjera mike dhe gjithmonë të gatshëm të mbështesim dhe përkrahim ruajtjen e paqes, sigurisë, demokracisë dhe stabilitetit në rajon e më gjerë, kurdo që kërkohet nga ne”