Vritet dëshmitari i Tribunalit Special, flet gruaja e tij
Gati një muaj ka kaluar prej kur është gjetur i vdekur afër Liqenit të Badovcit, inspektori i pyllit, Nazmi Rrustemi. Vrasja e tij u tha se mund të kishte lidhje me profesionin që ky i fundit e ushtronte tash e sa vite. Në fakt, 63 vjeçari, ishte dëshmitar i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e ishte intervistuar tre muaj para se të gjendej i vdekur.
Se kush qëndron prapa vrasjes së Nazmi Rrustemit, 63-vjeçarit nga Prishtina që u gjet i vdekur një muaj më parë afër Liqenit të Badovcit, ende nuk është zbuluar nga organet e drejtësisë në vend.
Ishte bërë e ditur se dyshimet e para janë se Rrustemi mund të jetë vrarë për arsye që lidheshin me profesionin që tashmë i ndjeri e ushtronte që sa vite.
Mirëpo, arsyeja po del të jetë krejt tjetër. Kështu të paktën po pohojnë familja e tij. Merret vesh se i ndjeri kishte qenë dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Madje, tre muaj para se të gjendej i vdekur ai ishte intervistuar nga hetues të speciales në cilësinë e dëshmitarit.
Këtë e ka konfirmuar gruaja e të ndjerit, Elmaze Rrustemi.
“Ka thanë më kanë thirrë në EULEX edhe u shku, kur erdhë i thashë çka u bo tha sen mirë është puna edhe kurgjo. Mbas mrami qytu në EULEX u kanë”, thotë gruaja e tij.
Ajo madje ka thënë se i ndjeri që punonte si inspektor i pyjeve në komunën e Prishtinës kishte edhe më herët telashe. Vite më parë persona të panjohur ja kishin djegur veturën.
“Kerrin ja kanë djegë para 3 vjete në oborr tashti e morrën krejt”, thotë Elmaze Rrustemi.
Familjarët shprehen se edhe gjatë luftës tashmë i ndjeri ishte marrë peng nga UÇK-ja.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ma anë të një emaili pyetet se a ka qenë i ndjeri dëshmitar.
Por në një përgjigje me shkrim nga ky organ i drejtësisë kanë thënë që nuk mund të komentojnë hetimet e Prokurorisë për arsye profesionale, etike dhe ligjore.
Megjithatë bashkëshortja e të ndjerit kërkon nga organet e rendit që sa më shpejt ta zbardhin këtë rast.
“Shumë po shkon ngadalë, informata s’kena marrë sen deri tash, po qef kina pas me u kry kjo punë me dit qysh e tek po thojnë kadalë nihere. Neve nuk na ka tregu sen, unë nuk di burri jem që ka pas problem sen e shteti duhet me ditë se ata merren me këto sene. Po kërkojmë që me u zbardhë qysh tek se na s’po dimë kurgjo as nuk ka thanë që jam rrokë me dikë, as hiç s’ka fol”, ka deklaruar tutje gruaja e të ndjerit.
Gjatë së martës për këtë çështje televizioni ka adresuar pyetje edhe në adresë të Prokurorisë së Prishtinës, por që nuk ka marrë përgjigje.
Po ashtu as drejtori i Inspeksionit, Adonis Tahiri, nuk ka dashur të flas lidhur me vrasjen e punëtorit të komunës.
Rrustemi është gjetur i vdekur afër Liqenit të Badovcit me datë 18 dhjetor të vitit që lamë pas.