Haradinaj: Pres dështimin e Gjykatës Speciale në Hagë
Një numër i madh i ish- luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë vitit të kaluar, sidomos në muajt e fundit të 2019 morën ftesa për intervistim nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale me seli në Hagë.
Prej gjithë të ftuarve disa kanë qenë të ftuar si dëshmitarë e disa të tjerë si të dyshuar, por ka pasur disa persona që nuk kanë pasur dijeni se në çfarë cilësie është ftesa e tyre.
Një ftesë nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale ka ardhur edhe në ditët e para të janarit, e që priten edhe të tjera ftesa madje edhe aktakuza.
Sot ish- pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Limani nga Zona Operative e Pashtrikut, është ftuar nga Gjykata Speciale.
“Kam pranuar ftesë nga një gjykatë e cila ka marrë përsipër gjykimin e krimeve të luftës. Pasi vijë nga një vend ku forcat serbe pothuajse deshën të zhdukin tërë popullatën civile shqiptare, formimi i kësaj gjykate të krijon mendimin se një gjykatë e tillë kryesisht do të merret me gjenocidin serb të bërë në shumë pjesë të Kosovës. Por menjëherë zhgënjehesh, sepse e kupton se kjo gjykatë do të organizoj kryekëput gjykime kundër shqiptarëve”, ka njoftuar Limani.
Për këtë ftesë nuk janë të informuar në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka pohuar se kjo gjykatë është politike dhe se ftesat e tilla nuk janë të çuditshme.
Haradinaj thekson se në këtë vit pret dështimin e kësaj gjykate, pasi që sipas tij “nuk është serioze”.
“Unë e shoh këtë proces si të kurdisur, është një montim sepse janë barazuar viktimat. Kjo gjykatë është krejtësisht politike dhe çfarëdo që të vjen për neve nuk është e çuditshme aq ma tepër kur parlamentarët tanë e kanë votuar dhe ia kanë dhënë të drejtën të luajnë me ndjenjat tona. Unë pres dështimin e kësaj Gjykate, sepse thirrjet e tyre nuk janë aspak serioze, kemi pasur ftesa që kanë thirr fëmijë ose s’kanë qenë fare në UÇK. Kjo tregon se ata nuk kanë qenë fare korrekt dhe nuk kanë fakte dhe nuk arrijnë mjaftueshëm të argumentojnë qëllimin e tyre. Prandaj pres dështim por nëse merren vendime ato janë politike”, thotë Haradinaj.
Numri dy i veteranëve, tutje thotë se Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale apo Gjykata Speciale me seli në Hagë nuk parasheh zbulimin e krimeve të luftës.
Sipas tij, kjo gjykatë nuk ka ngritur asnjëherë aktakuzë deri më tani pasi që s’ka fakte për pretendimet e saj.
“Thjesht Gjykata Speciale nuk parasheh zbulim të krimit, sepse dihet mirë kush ka kryer krime këtu dhe do të ngriteshin aktakuzat sepse ka mjaft fakte dhe dihet mirë kush ka kryer krime në Kosovës. Seleksionimi i vetëm për UÇK-në është thjeshtë temë politike dhe deputetët janë bërë naiv për pazare politike të cilat kanë menduar se është mirë, por ju ka dalë tradhti”, ka thënë Haradinaj.
Ndryshe bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni do të skadojë vitin këtë vit (më 2020).
Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vet këtë gjykatë.
Në kuadër të këtij institucioni, ndonëse intervistimet janë gjithnjë e më të shpeshta, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë./FaktePlus