Kampioni po vjen!
Erdhi Kampioni!
Konkurrenca mediale çdo ditë e më shumë po rritet, por jo edhe profesionalizmi në këtë zanat përballë publikut në të cilin thirremi.
Konkurrenca joreale ka bërë që të shtohen lajmet e rreme, të cilat njihen si ‘fake news’.
Futja në tregun medial sot nuk është e lehtë. Nuk është lehtë sidomos ta bindësh lexuesin se te ti do t’i gjejë informacionet e sakta.
Këto shprehje ndoshta mund të duken klishe, por kjo është arsyeja pse e nisëm këtë betejë.
Në kohën kur mediet janë dhënë pas LIKE-ve duke terrorizuar lexuesit me tituj të paqenë, para se ta mësojmë rrugën nga duhet të ecim, ne e kemi mësuar rrugën nga nuk duhet të ecim. Ky është vetëm njëri nga elementet që do të na dallojë prej të tjerëve. Mbi këtë bazë e kemi lidhur qëllimin dhe emrin e mediumit.
“Fakte Plus” do të jetë mundësi e re dhe reale për lexuesit. Përveç tjerash, te ne do ta gjeni profesionalizmin dhe seriozitetin.
Vetë emri ynë “Fakte Plus” domosdoshmërisht na vë në luftë me ‘fake news’, me të cilat bota po ka telashe.
E kemi nisur një rrugë të vështirë, si brenda llojit, po ashtu edhe për ofrimin e prodhimeve tona të veçanta. Do të përkushtohemi që puna jonë të jetë arsyeja që ju të na vizitoni.
Beteja jonë nuk ka kuptim pa bashkëpunimin tuaj.
Zëri juaj do të jetë prioritet i joni!
Sinqerisht:
Basri SHALA – VIRUSI
Kryeshef Ekzekutiv