2019’ta, vit i sportit për Kosovën – gjithçka që ndodhi për 365 ditë
Thonë që sporti është ambasadori më i mirë i një shteti në arenën ndërkombëtare. E viti që lamë pas padyshim që ishte vit i shkëlqimit të Kosovës në sport, e rrjedhimisht edhe prezantim i fuqishëm i shtetësisë së saj në botë. Meritat më të mëdha për këtë sukses s’ka dyshim që i patën djemtë e Kosovës në futboll. Por, edhe sukseset individuale të sportistëve tanë nuk munguan, siç janë sidomos vajzat në xhudo. Megjithkëtë, nuk munguan as disa ‘njolla të zeza’, por që fatmirësisht u eklipsuan nga sukseset e mëdha.
Viti 2019, një histori e jashtëzakonshme suksesi në futboll
Padyshim se 3 dhe 13 maji të vitit 2016 do të mbesin në analet e historisë së sportit në Kosovë. Pranimi në FIFA e UEFA ishte një ëndërr e bërë realitet për një shtet që po konsolidohej e për një sport që po e merrte veten. Megjithatë viti 2019 ishte viti kur Kosova i tregoi organeve kryesore të futbollit se çka kishte humbur me refuzimin që iu bë tërë atyre viteve.
Suksesi i jashtëzakonshëm i arritur në vitin paraprak kur Kosova arriti ta fitonte grupin 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve, për të arritur të siguronte një ndeshje të play-offit për EURO 2020, nuk u ndal as në këtë vit.
Shorti e vuri Kosovën në grupin A së bashku më Anglinë, Republikën Çeke, Bullgarinë dhe Malin e Zi.
Megjithatë Kosova ndeshjen e parë për vitin 2019 e luajti një miqësore ndaj kombëtares me plot yje, atë të Danimarkës.
Në ndeshjen e zhvilluar më 21 mars në ‘Fadil Vokrri’ ishte Amir Rrahmani që zhbllokoi shifrat në pjesën e parë. Në pjesën e dytë danezët barazuan me një penalti. Ishte Celina që kaloi në avantazh sërish Kosovën ndërsa krejt në fund Hojbjerg ishte ai që barazoi për 2-2 dhe rezultatin përfundimtar.
Në ndeshjen e parë për eliminatoret e EURO 2020, të zhvilluar 4 ditë më vonë po në Prishtinë, Kosova arriti një barazim 1 me 1 me Bullgarinë. Golit të Bozhikov në pjesën e parë iu përgjigj Arbër Zeneli me një supergol në pjesën e dytë. Pavarësisht rasteve të shumta dhe dominimit të bindshëm, Kosova nuk arriti më shumë në ata ndeshje.
Më 7 qershor Kosova mori edhe një barazim tjetër, këtë herë në Podgoricë ndaj Malit të Zi. Golit të Milot Rashicës në minutën 24 iu përgjigj Stefan Mugosa i vendasve në të 69’n, duke konkretizuar rastin e vetëm ideal të malazezve. Ndërkohë Kosova pavarësisht dominimit absolut, as aty nuk e arriti trepikëshin. Por lajmi më i keq në këtë ndeshje nuk ishte humbja, por lëndimi i futbollistit më në atë formë në atë periudhë, Arbër Zenelit. Zeneli lëndoi ligamentin kryesor, kurse ende mbetet jashtë fushave.
Tre ditë më vonë erdhi koha që Kosova të lë vërtet gjurmë në futboll. Në ndeshjen e luajtur në Sofje, Kosova mposhti Bullgarinë në një ndeshje spektakolare çka do të ishte edhe fitorja e parë e Kosovës në një ndeshje zyrtare.
Golit të Rashicës në minutën e 14 iu përgjigj Popov dy minuta para përfundimit të pjesës së parë. Në minutën 55 Dimitrov kaloi në epërsi bullgarët ndërsa nëntë minuta më vonë Muriqi barazoi shifrat. Krejt në fund në mënyrë spektakolare, Rashani çoi në ekstazë tifozerinë mysafirë duke vulosur fitoren e ‘Dardanëve’.
Kosova priti 3 muaj për ta zhvilluar ndeshjen e ardhshme të eliminatoreve. Në ndeshjen e zhvilluar më 7 shtator në ‘Fadil Vokrri’ pësoi Çekia, një kombëtare e fortë me mjaft kualitete. Patrick Schick shënoi pas 16 minutave lojë ndërsa 4 minuta më vonë barazoi Muriqi. Ndërsa në pjesën e dytë në minutën 65, Vojvoda përfitoi më së miri nga një gjuajtje nga këndi për ta futur topin në rrjetë. Kjo fitore nënkuptonte që Kosova kishte shkuar në 15 ndeshje pa humbje ndërsa edhe shanset për kualifikim direkt në evropian ishin rritur.
E tri ditë më vonë Kosova do të zhvillonte një ndeshje tjetër historike. I shkonte Anglisë në Southampton, kombëtare e cila kishte kaluar çdo kundërshtar në atë grup deri atëherë pa problem dhe i kishte mposhtur me goleadë.
Por vetëm pas 35 sekondave lojë, Kosova me anë të Valon Berishës i ‘futi dridhmat’ kombëtares së ‘tre luanëve’. Në pjesën e dytë shënoi Berisha edhe njëherë dhe Muriqi realizoi nga penalltia, për një humbje 5-3 pas 15 ndeshjeve pa e shijuar disfatën.
Një gol i Florent Hasanit ishte i mjaftueshëm për ta mposhtur 1 me 0 Gjibraltarin në një miqësore më 10 tetor në “Fadil Vokrri”, ndërsa katër ditë më pas ishte radha e ndeshjes së ardhshme në eliminatore. Kosova ende kishte gjasa për ta marrë biletën për në europian dhe do të duhej të fitonte në ndeshjet e mbetura.
Në ‘Fadil Vokrri’ Kosova priste Malin e Zi me të cilën kishte barazuar ndeshjen e parë në Podgoricë. Por një gol i Amir Rrahmanit në minutën e 10 dhe një i Muriqit në të 35, e përcjell me një super ndeshje i dha fitoren dhe shpresën Kosovës.
Lajme të këqija erdhën para ndeshjes me Çekinë. Lojtari më në formë në atë kohë, sulmuesi Vedat Muriqi ishte lënduar dhe nuk mund të lunate në ndeshjet kyçe, me Çekinë dhe Anglinë.
Rezultatet e mira të Çekisë dhe fitorja e tyre në ndeshje direkte ndaj Anglisë i dhanë shpresë të madhe për kualifikim. Me një fitore eventuale ndaj Kosovës më 14 nëntor ata do të kualifikoheshin dhe Kosova do të binte. Kështu edhe ndodhi. Goli i Atdhe Nuhiut çoi në ekstazë kosovarët por ‘Dardanët’ nuk arritën të mbaheshin. Kral dhe Celutska shënuan golat e përmbysjes dhe të kualifikimi në evropian për vendasit.
Ndeshja e fundit në grup ishte ajo ndaj Anglisë më 17 nëntor. Ishte më shumë festë e miqësore sesa ndeshje e rëndësishme për t’u fituar nga njëra apo tjetra kombëtare. Anglia e kishte siguruar vendin e parë kurse Kosova nuk kishte gjasa. Para ndeshjes u organizua një mikpritje e hatashme nëpër sheshe e një koreografi fantastike në stadium, si shenjë falënderimi ndaj anglezëve për rolin e tyre të rëndësishëm nëpër etapa të ndryshme historike për Kosovën. Kosova humbi 4-0 por kujt i interesonte rezultati. Kosova arriti 11 pikë duke u pozicionuar në vendin e tretë në një kampanjë të jashtëzakonshme.
Në fund të tetorit në listën e publikuar nga FIFA, Kosova arriti rezultatin më të mirë në ranglistë të kombëtareve, duke u pozicionuar në vendin e 114.
Kosova e ka edhe një mundësi për Euro 2020. Në mars luan në Shkup ndaj Maqedonisë Veriore e nëse fiton aty, luan prapë si mysafire, këtë herë ndaj fituesit të ndeshjes mes Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë.
Nëse Kosova kualifikohet për në europian nga Liga e Kombeve, do të jetë në grupin C ku bëjnë pjesë edhe Holanda, Ukraina dhe Austria.
Kosova përforcohet me lojtarë të rinj
E kuptuan që Kosova ishte alternativa më e mirë. Florent Muslija, Florent Hadërgjonaj, Ibrahim Dresevic e rikthimi i Anel Raskajt, Elbasan Rashanit e Shkëlqim Demhasajt ishin prurjet e Kosovës në vitin 2019.
Ata i dhanë freski dhe e forcuan përfaqësuesen duke e bërë konkurruese dhe tejet e frikshme, edhe për ‘peshqit e mëdhenj’.
Rashkaj u kthye në maj në Kosovë, Hadërgjonaj po ashtu në maj braktisi Zvicrën për Kosovën, Muslija e la Gjermaninë në qershor ndërsa Dreseviç e kishte përfaqësuar më herët Suedinë për ta lënë atë për Kosovën.
Për Kosovën u kthyen edhe Elbasan Rashani e Shkëlqim Demhasaj.
Edhe për Ylldren Ibrahimajn u raportua se kishte marrë leje nga FIFA për t’iu bashkëngjitur ekipit të Kosovës, megjithatë nuk ka asgjë zyrtare, edhe pse ai mori ftesë nga selektori Challandes.
Futbollistët e Kosovës, mbresëlënës në ekipet e huaja
Futbollistët e Kosovës nuk kanë shkëlqyer vetën në kombëtare, por edhe në ekipet e tyre më të cilat luajnë në ligat evropiane. Por pa dyshim që më shumë gjurmë kanë lënë mesfushori Milot Rashica që luan në Gjermani me Werder Bremenin dhe sulmuesi Vedat Muriqi që luan me Fenerbahcen në Turqi.
Rashica ka shënuar 14 gola dhe ka asistuar 7 herë në këtë vit, duke u shndërruar në një lojtar kyç jo vetëm të Werderit, por edhe në të gjithë Bundesligën gjermane. Ai së fundmi shënoi një super solo gol ndaj Bajernit të Mynihut.
Ndërsa Muriqi këtë sezon pas transferimit në Fenerbahce nga Rizespori, e ka gjetur rrjetën 9 herë ndërsa ka asistuar 2 herë të tjera vetëm në ndeshjet e ligës. Ai menjëherë ka tërhequr interesimin e skuadrave të mëdha angleze si Manchester United e Tottenham.
Edhe Amir Rrahmani ka arritur të shndërrohet në një ndër lojtarët kryesorë të Veronës në Serie A. Falë tij dhe partneritetit me shqiptarin tjetër, Marash Kumbullën, Verona është njëra ndër ekipet me më së paku gola të pësuara në Itali.
Xhudistët e Kosovës, me plot suksese
Krahas futbollit, xhudoja ishte sporti tjetër që i bëri krenarë kosovarët. Xhudistët kosovarë nuk u ndalën me suksese as gjatë këtij viti, duke i dhuruar kështu shtetit tonë shumë medalje.
Majlinda e nisi me një të artë vitin kur në fund të janarit, mposhti për vetëm 35 sekonda në finale izraeliten Gili Cohen në Grand Prix’in e Tel Avivit. Ndërsa xhudistja tjetër Loriana Kuka, po në këtë garë mori të argjendtën në kategorinë deri në 78 kg, pasi u mposht në finale nga sllovenja Klara Apotekar.
Distria Krasniqi mori të argjendtën në kategorinë deri në 48 kilogramë në Grand Slamin e Parisit në shkurt, duke u mposhtur vetëm në finale nga japonezja Ami Kondo. Sukses në këtë Grand Slam arriti edhe Akil Gjakova, i cili në kategorinë deri në 73 kilogramë u rendit i katërti.
Po në shkurt, Majlinda mori sërish të artën në Grand Slamin e Dyseldorfit, duke e mposhtur në finale mongolezen Sosorbaram Lkagvasuren në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Në mars Loriana Kuka e fitoi medaljen e argjendtë në Grand Prixin ‘Marrakech 2019’ të Marokut pasi pësoi humbje vetëm në finale nga gjermanja Ana Maria Wagner, në kategorinë deri në 78 kilogramë.
Në fund të marsit shkëlqimin e vazhdoi Nora Gjakova, e cila në kategorinë deri në 57 kilogramë mposhti medalisten e artë Olimpike Rio 2016, brazilianen Rafaela Silva, për të fituar medaljen e artë në Grand Prizin e Tbilisit të Gjeorgjisë.
Xhudistet tona vazhduan me medalje deri në Lojërat Olimpike Verore që u mbajtën në Minsk, ku sërish ata shkëlqyen dhe e shkruan historinë.
Në fund të qershorit, Majlinda mori aty medaljen e parë të artë pasi e mposhti rusen Natalia Kuziutina në kategorinë deri në 52 kilogramë duke e ngritur flamurin e Kosovës në një shtet që se ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Nora Gjakova ndërkohë në atë ditë mori të argjendtën duke u mposhtur vetëm në finale nga rusja Daria Mezhetskaia në kategorinë e -57 kilogramëve.
Loriana Kuka fitoi të bronztën dy ditë më vonë, duke e mposhtur gjermanen Luise Malsahn poashtu në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Në gusht ishte radha për Kampionatin Botëror në Japoni. Më 25 gusht, Distria Krasniqi fitoi të bronztën në kategorinë deri në 48 kg duke e mposhtur spanjollen Laura Martinez.
Edhe Majlinda mori të bronztën, duke e mposhtur portugezen Joana. Pa medalje mbetën Akil e Nora Gjakova, edhe pse dhuruan paraqitje të mira.
Majlinda ndërkohë fitoi të artën në Grand Slamin e Abu Dhabit të mbajtur në fund të tetorit, duke e mposhtu në finale në kategorinë deri në 52 kilogram italianen Odette Giuffrida, pas një lufte të ashpër që zgjati rreth 10 minuta.
Verdikti i ligave kryesore të sportit dhe përformanca e ekipeve kosovare në Evropë
Fitorja minimale 1-0 ndaj Prishtinës me golin e Ylli Hoxhës i dha skuadrës nga Drenasi, Feronikelit titullin kampion të Superligës për edicionin 2018/19. Feronikeli mblodhi 80 pikë, duke lënë prapa Prishtinën dhe Llapin.
KEK-u dhe Liria ndërkohë ranë në një kategori më poshtë ndërsa Vushtrria dhe Dukagjini u ngjitën në Superligë.
Edhe Kupën e Kosovës e fitoi Feronikeli, pasi mposhti në finale 5-1 Trepçën. Garat në Evropë i siguroi edhe Prishtina, pasi që e kreu stinorin e dyta në tabelë.
Në garat evropiane ekipet nga Kosova nuk arritën të lënë gjurmë të mëdha. Feronikeli humbi nga ekipi uellsian TNS. Në Uells arriti të merrte një barazim 2-2 kurse në Prishtinë humbi 0-1. Ndërsa Prishtina u eliminua nga ekipi nga Gjibraltari, St.Josephs. Rezultati në Prishtinë ishte 1-1 kurse në Gjibraltar, Prishtina humbi 2-0.
Në basketboll ishte Prishtina që vazhdoi dominimin. Pas i fitoi Kupën duke e mposhtur 96:60 Rahovecin, skuadra nga kryeqyteti fitoi edhe Superligën duke i mposhtur rahovecianët 3-1 me ndeshje dhe kështu duke e siguruar titullin e 13 nga paslufta. Prishtina po ashtu e fitoi edhe Superkupën.
Në Ligën e Kampionëve, Prishtina pati paraqitje dinjitoze duke u eliminuar vetëm në kohën shtesë nga Legia e Varshavës.
Në kualifikimet për FIBA Europe Cup, Prishtina u eliminua nga grupi C i FIBA Europe Cup duke arritur vetëm dy fitore në gjashtë ndeshje. Në sezonin paraprak kishin arritur të kualifikoheshin në top 16-she. Ndërsa Rahoveci u mund në të dyja ndeshjet nga skuadra rumune e Cluj.
Sa i përket këtij sezoni në futboll, është Ballkani nga Suhareka që pas 17 ndeshjeve prin me 34 pikë, 2 më shumë se Gjilani dhe nga një më shumë se Drita dhe Prishtina.
Ndërsa në basketboll situata është edhe më interesante. Prishtina nga 15 ndeshje prin me 27 pikë, 1 më shumë se Rahoveci dhe Bashkimi, e dy më shumë se Ylli e Prizreni.
Problemet me bileta, aktakuza ndaj kreut të FFK-së e situata e tensionuar aty, ‘njollë e zezë’ në sportin kosovar
Interesimi për t’i shikuar ndeshjet e Kosovës ishte jashtëzakonisht I madh dhe kjo bëri që qysh në ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve, ndaj Azerbajxhanit më 2018, biletat të shiteshin ‘online’ nga një kompani e angazhuar nga FFK-ja.
Por nga shumë qytetarë u shpreh pakënaqësi lidhur me ata që biletat shiteshin shumë shpejt dhe mbeteshin pa to. Po ashtu pothuajse para çdo ndeshjeje ‘lulëzonte’ tregu i zi ku biletat shiteshin për shifra astronomike.
Për këtë çështje, Prokuroria Speciale njoftoi në tetor të vitit të kaluar se kishte filluar hetimin për shitjen e tyre, megjithatë nuk është dhënë ende asnjë rezultat.
Në mesin e shumë akterëve që u fajësuan për ‘avullimin’ e biletave ishte edhe vet Federata e Futbollit të Kosovës.
Kryetari i saj Agim Ademi ishte dënuar me nëntë muaj burgim efektiv në korrik duke u shpallur fajtor për veprën penale të detyrimit në tentativë. Ndaj tij u kërkua edhe largimi nga posti, gjë të cilën nuk e bëri.
Ndaj tij u ngrit gishti pasi që konsiderohej që padrejtësisht i ishte bërë mandat katërvjeçar, kur në fakt do të duhej të ishte dyvjeçar. Këto u kundërshtuan edhe nga FFK-ja, të cilët pretenduan se edhe UEFA e njeh Ademin si president deri në vitin 2022.
Kandidaturën për kryetar të ardhshëm të FFK-së veçse e ka shpallur Arianit Ahmeti, ish-zv/sekretar në këtë institucion. Ai u përjashtua pikërisht për këtë gjë, sepse shpalli kandidaturë të cilën e kundërshtonin nga federate. Ahmeti po thotë se një zyrtar jokompetent ia ka konfirmuar mandatin 4-vjeçar Ademit, përderisa UEFA i kishte kërkuar dënimin kur u dënua me burgim. Ai po ashtu bëri bujë edhe me një listë ku bëri të ditur se jo të gjitha biletat dilnin në shitje për shikues, një pjesë rezervohej nga FFK-ja. Një gjë e tillë ende nuk është vërtetuara. Së shpejti
FFK-ja pritet të mbajë zgjedhjet për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv e kryetarë të Lidhjeve Rajonale. /FaktePlus