Shqetësuese, për 4 vjet gati 200 vetëvrasje në Kosovë – Pse po ndodhin
Dukuria e vetëvrasjes është kthyer në dukuri shqetësuese për Kosovën. Kjo për faktin se vazhdojnë të jenë mjaft të shpeshta rastet e raportimeve kur persona të moshave të ndryshme po vendosin t’i japin fund jetës së tyre.
As për këtë vit statistikat nuk tregojnë që të jetë bërë ndonjë arritje sa do e vogël për të ulur numrin e rasteve të tilla.
Nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor, pra për 10 muaj, në Kosovë janë 33 persona që kryen vetëvrasje, kurse 136 persona tjerë kanë tentuar të bëjnë vetëvrasje.
Këto të dhëna janë konfirmuar nga Policia e Kosovës për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
“Duke ju referuar te dhënave, për numrin e rasteve të vetëvrasjeve për periudhën kohore 01-01-2019 – 31-10-2019 janë: Vetëvrasje 33 raste, vetëvrasje në tentativë 136 raste”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për FaktePlus.
Nga kjo dukuri janë prekur dy gjinitë e moshave të ndryshme.
Ndërkaq, në vitin 2018-të janë 37 persona që kanë kryer vetëvrasje dhe 164 të tjerë kanë tentuar bënin vetëvrasje.
E nëse marrim statistikat prej 2015 deri në 2019-ën atëherë për këtë periudhë kohore 199 persona kanë bërë vetëvrasje, kurse 964 të tjerë kanë tentuar t’i japin fund jetës së tyre.
“Viti 2015: Janë evidentuar: 60 vetëvrasje dhe 219 tentim vetëvrasjeje, viti 2016: Janë evidentuar: 37 vetëvrasje dhe 229 tentim vetëvrasjeje, viti 2017: Janë evidentuar: 32 vetëvrasje dhe 216 tentim vetëvrasjeje, viti 2018: Janë evidentuar: 37 vetëvrasje dhe 164 tentim vetëvrasjeje”, thuhet në të dhënat e Policisë së Kosovës.
Bazuar në këto të dhëna mund të thuhet se ky fenomen në Kosovë ka filluar të paraqitet si shqetësues si për institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi.
E arsyet ekonomike, sociale, gjendjet shpirtërore, janë disa nga shkaqet dhe arsyet se pse këta persona po tentojnë apo edhe po i japin fund jetës.
Psikologia Antigona Qena-Sejdu ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se kjo dukuri kërkon angazhim më serioz të institucioneve.
“Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme me të cilën duhet të merren institucionet përkatëse. Sidomos duhet t’iu kushtohet rëndësi aspektit të strategjive për parandalimin e vetëvrasjeve”, ka thënë ajo.
Qena-Sejdiu shton se ndër faktorët të cilët po çojnë deri në vetëvrasje, janë depresioni i madh dhe përjetimi i streseve traumatike.
Ajo madje ka thënë se në disa raste të vetëvrasjeve që planifikohet deri në detaje nga presoni që ka vendosur t’i jap fund jetës, ndodhin derisa personi është në gjendje impulsive.
“Kemi vetëvrasje të cilat planifikohen deri në detaje nga personi, por kemi edhe vetëvrasje të cilat ndodhin përderisa personi është në gjendje impulsive të mendimeve të tilla. Kurse tek personat që bëjnë vetëvrasje në gjendje afekti intervenimet janë më të vështira. Për këtë duhet strategji të cilat do të përfundonin. Përdorimi i strategjive të vlerësimit dhe menaxhimit të vetëvrasjeve”, shpjegon psikologja Qena-Sejdiu.
Që nga pas lufta janë 1 mijë e 138 persona që kanë bërë vetëvrasje në Kosovë, kurse 3 mijë e 734 kanë tentuar t’i japin fund jetës.
Në vitin 2014 është shënuar numri më i madh i vetëvrasjeve, pasi ka arritur në 80, përderisa në vitin 2013, kanë qenë 236 persona që kanë tentuar të vetëvriten.
Kujtojmë që për të parandaluar këtë dukuri është krijuar edhe “Linja e Jetës”, e cila ka filluar punën më 17 nëntor 2019 në Prishtinë.
Përmes kësaj linje telefonike do të tentohet t’u ofrohet ndihmë gjithë personave që kanë probleme dhe mendojnë të kryejnë vetëvrasje.
Është numri 0800 12345 i cili të lidhë me “Linjën e Jetës”.
Thirrjeve telefonike të personave që kërkojnë ndihmë tek “Linja e Jetës” do t’iu përgjigjen punëtorët vullnetarë që u trajtuan nga ekspertët në Holandë.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ditë më parë ka intervistuar ideatorin e kësaj linje, Bind Skeja nga Qendra e Informimit për Përmirësim Social (QIPS).
Ai tregoi se si erdhi ideja për “Linjën e Jetës” dhe cili është qëllimi dhe si do të funksionojë kjo linjë telefonike.
“Nuk janë ata psikologë, terapeutistë, qëllimi nuk është me ofru ndihmë afatgjate. Qëllimi është që në atë momentin kritik të krizës kur personi tenton të bëjë vetëvrasje, me largu. Pra, është diçka afatshkurtër dhe ndoshta jo domosdo me u ndi mirë përgjithmonë, por për atë moment që donë me bo vetëvrasje me ia largu atë dëshirë dhe me ia heq motivin dhe ngadalë me drejtu në vendet që munden me i dhënë ndihmë afatgjatë. Nëse jo domosdoshmërish një psikolog të paktën në grupe që munden me i dhënë përkrahje”, shpjegon Skeja.
Duhet thënë se Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) kishte kërkuar përkrahje nga Qeveria dhe institucionet tjera të vendit, por këtë përkrahje nuk e mori asnjëherë./FaktePlus