Liga e Kampionëve: Interi eliminohet pas humbjes nga Barça, kualifikohet Dortmundi
Inter është eliminuar nga faza grupore në Ligën e Kampionëve, pas humbjes 2:1 në shtëpi nga Barcelona në ndeshjen e fundit në grup, duke i dhënë mundësi Borussia Dortmundit të kalojë në mesin e 16 skuadrave më të mira pas triumfit 2:1 ndaj Slavia Pragës.
Barcelona si fituese e Grupit F dhe Dortmundi si e dyta kualifikohen në 1/8 e finales, ndërkohë Interi si e treta do të luajë në Ligën Evropës – garën dytësore evropiane – dhe Slavia Praga si e fundit shkon në shtëpi, raporton Gazeta Express.
Inter 1:2 Barcelona
Interi e priti Barcelonën në San Siro, duke e ditur se vetëm fitorja do t’ia shmangte eliminimin nga Liga e Kampionëve, por zikaltrit u mposhten nga një Barcelonë e përgjysmuar.
Carles Perez dhe Ansu Fati, dy lojtarët e akademisë, shënuan dy golat e fitores së skuadrës së Ernesto Valverdes që udhëtoi drejt Milanos pa shumë yje, përfshirë kapitenin Lionel Messi.
Romelu Lukaku i dha shpresë Interit me golin e tij të bukur në përfundim të pjesës së parë, por kjo ishte e gjitha që skuadra e Antonio Contes mundi të ofrojë mbrëmjen e së martës.
Barcelona e siguroi kualifikimin një xhiro para fundit si fituese e Grupit F.
Inter përfundoi i treti prapa Borussia Dortmundit dhe tani do të luajë në Ligën e Evropës.
Borussia Dortmund 2:1 Slavia Praga
Dortmundi me një lojtar më pak për rreth një çerek lojë e mundi 2:1 Slavia Pragën, duke shpresuar se Interi do të humbiste apo barazonte ndaj Barcelonës, në mënyrë që ta sigurojë kalimin në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.
Ashtu edhe ndodhi, pasi Interi u mund 2:1 nga Barcelona në San Siro.
Jadon Sancho dhe Julian Brandt shënuan dy golat e fitores së madhe të Dortmundit.
Dortmundi kualifikohet si e dyta nga Grupit F, ndërkohë që Slavia Praga eliminohet nga garat evropiane si e fundit në grup.