Kush po kërkon që presidenti të zgjidhet nga populli dhe të mos jetë pjesë e pazareve
Posti i presidentit ka ndarë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo për faktin se këto dy subjekte po e duan postin e kreut të shtetit dhe nuk po pajtohen se kujt t’i takojë. Si pasojë e kësaj, dy partitë që kanë dalë të parat në zgjedhjet e 6 tetorit kanë ndërprerë diskutimet për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës.
Si shkak i mbetjes peng të formimit të institucioneve, analistët po e shohin moment të duhur që partitë që tani të merren vesh për ndryshimin e Kushtetutës që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe të mos jetë më pjesë e pazareve politike pas secilës palë zgjedhje.
Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se zgjedhja e presidentit do duhej të ndryshohej dhe të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli, pavarësisht se Kosova është republikë parlamentare.
Sipas tij, ky edhe është pikërisht njëri nga çelësat për zgjidhjen e problemit mes dy partive, LDK-së e Vetëvendosjes që nuk po mund të arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës.
“Po, gjithsesi njëri prej çelësave të zgjidhjes është ky, që subjektet politike tani në dispozicion për të bërë qeverinë do duhej të merreshin vesh që në ndërkohë, meqë edhe ashtu ajo pozitë nuk është vakante, t’i nisnin reformat për plotësim ndryshim të Kushtetutës dhe për zgjedhjen drejtpërdrejt të presidentit”, ka thënë Baraliu, shkruan FaktePlus.
Më tutje ai thotë se është edhe një variant tjetër se si do të mund të merreshin vesh këto dy parti për të dalë nga ngërçi për arritjen e marrëveshjes.
“Varianti i dytë do të ishte që të merren vesh që nëse nuk bëhen ndryshime kushtetuese atëherë përmes marrëveshjes së tyre të tanishme kur duan të zgjedhin presidentin të zgjidhet një person jashtë partive politike, por që ka kredenciale dhe kredibilitet nga populli”, theksoi ai.
Kurse analisti politik, Faton Abdullahu, e quan anti-institucionale, qasjen politikisht grabitqare për ta pasur presidentin me çdo kusht.
“Qasja politikisht grabitqare, për ta pasur presidentin me çdo kusht, deri edhe në prishjen e një koalicioni të mundshëm, është qasje anti-institucionaliste. Thjeshtë është ofendim politik jo vetëm për votuesin. Arsyetimi se duhet të merremi vesh tani për presidentin sepse përndryshe më pas mund të na vije përsëri një zarf me emrin e presidentit të ardhshëm në të, është ofendim dhe mosmirënjohje edhe për këtë funksion edhe për partnerët tanë ndërkombëtar, sidomos SHBA-në”, theksoi Abdullahu për FaktePlus.
Ai thekson se kur të vije koha, për presidentin e Kosovës duhet të ketë marrëveshje më të gjerë, ku duhet të përfshihet edhe opozita edhe shoqëria civile edhe faktorë të tjerë.
“Kjo për faktin sepse presidenti duhet të jetë i pranueshëm gjithanshëm dhe të kryej funksionin e faktorit unifikues. Kushdo që sot mund të jetë propozuar dhe pranuar nga LVV dhe LDK nuk mund ta përmbush këtë kërkesë, e cila është edhe kushtetuese. Fakti se kjo praktikë jo e mirë nuk po ndryshon as edhe tash nga LVV dhe LDK, është thirrje se ndoshta duhet ta ndryshojmë Kushtetutën që zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës t’ia lëmë në dorë qytetarit të Kosovës. Kjo është e mundshme të ndodh, por nuk mendoj se sot për sot LVV dhe LDK kanë moral të mjaftueshëm politik dhe guximin e nevojshëm për ta bërë një ndryshim të tillë”, ka thënë Abdullahu.
Kujtojmë se në vitin 2011 pati nisur një reformë zgjedhore në cilën ishte paraparë të ndryshohet ligji për presidentin si dhe Kushtetuta, që do të mundësohej zgjedhja e kreut të shtetit drejtpërdrejt nga populli.
Mirëpo, që nga ajo kohë ligji për presidentin ka mbetur i hartuar, por i pa shqyrtuar e miratuar, asnjëherë, në mungesë të vullnetit politik të subjekteve politike./FaktePlus