Shqetësuese: Për dhjetë muaj, 92 persona të vdekur në rrugët e Kosovës
Ditë më parë në magjistralen Prishtinë-Pejë, respektivisht tek vendi i quajtur “Kroi i Mbretit”, një person humbi jetën nga goditja që mori prej një veture, e cila lëvizte me shpejtësi të pakontrolluar. Në këtë aksident po ashtu mbetën me lëndime të rënda edhe dy persona tjerë. E raste të tilla po thuajse çdo ditë po ndodhin në rrugët e Kosovës.
Mosrespektimi i ligjit dhe rregullave në trafik, ka bërë që aksidentet rrugore të shndërrohen në një prej problemeve shumë serioze në Kosovë.
Vetëm gjatë muajit tetor, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, janë 16 persona që kanë vdekur, ndërsa 1 mijë e 42 persona janë lënduar, në gjithsej 1 mijë e 474 aksidente trafiku.
Në shumicën e rasteve, sipas Policisë, fajtor është faktori njeri dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar për ngasje.
Aksidenti me fatalitet tek ‘Kroi i Mbretit’, arrestohet një person
Nga Policia e Kosovës kanë dhënë statistika për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, edhe për numrin e aksidenteve që kanë ndodhur që nga fillimi i vitit.
Nga policia kanë pohuar se nga muaji janar e deri në tetor kanë humbur jetën gjithsej 92 persona, kurse janë lënduar rreth 10 mijë persona.
E të gjitha këto kanë ndodhur në 13 mijë e 206 aksidente.
Për këtë periudhë kohore, Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë shqiptuar 368 mijë e 370 tiketa trafiku apo gjoba, shkruan FaktePlus.
Përveç faktorit njeri dhe lëvizjes me shpejtësi të madhe, arsye tjera që çojnë në aksidente me fatalitet, janë edhe vjetërsia e automjeteve që janë në qarkullim, kontrollet teknike dhe veturat e paregjistruara dhe të pasiguruara.
FaktePlus ka raportuar se qytetarët e Kosovës kanë në pronësi mbi 47 mijë vetura që nuk janë të regjistruara apo të siguruara dhe ato qarkullojnë nëpër rrugët e vendit dhe shpeshherë edhe shkaktojnë aksidente.
Nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës kanë thënë se janë së paku 110 mijë vetura të pa regjistruara, dëmet e të cilave janë prej miliona euro si për kompanitë e sigurimeve, ashtu edhe për buxhetin e shtetit.
Ndryshe edhe ekspertët e Institutit Kombëtar kanë alarmuar se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetës së qytetarëve do të jetë enorme, andaj kanë apeluar te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve, pasi automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme./FaktePlus