Imazhi i keq i privatizimit, Miniera e Kosovës që ‘vdiq’ ngadalë
Shumë nga ndërmarrjet shoqërore të Kosovës, të cilat janë privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, nuk kanë arritur kurrë të funksionalizohen. Ato tash e shumë vite kanë mbetur vetëm objekte dhe pa asnjë vlerë tjetër.
Fati i tillë e ka përcjell edhe Minierën e Goleshit, që gjendet në Magure të Lipjanit. Kur u privatizua mendohej se do të sillte miliarda fitime, por kjo mbeti vetëm një ëndërr e bukur.
Ky vend tash e 20 vite është shndërruar në një humnerë. Në këtë minierë që dikur punonin qindra njerëz e makinat nuk ndaleshin së prodhuari, tash të mbyt heshtja.
Aty më nuk frymon asgjë.
Të vetmit që i sjellin pak frymë kësaj miniere janë 46 punëtorët që ruajnë hekurat e mbuluar nga ndryshku.
Përpjekjet për ta kthyer në prodhim minierën që dikur krenohej shteti, kanë dështuar tash e dy dekada.
FaktePlus ka qëndruar në këtë minierë dhe sjell xhirime që nuk janë parë deri më tani. Këto filmime tregojnë më së miri se në çfarë gjendje është miniera, e cili ishte shitur 12 vite më parë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për vetëm 810 mijë euro.
Për gjendjen e minierës nuk pranojnë të flasin punëtorët. Disa nga ta në heshtje pranojnë vetëm ta përcjellin ekipin tonë, derisa filmonim ambientet e minierës.
Të vetmit që flasin për Minierën e Goleshit janë zyrtarët nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, që edhe menaxhon aktualisht këtë ndërmarrje.
“Ndërmarrja MiM Goleshi aktualisht është nën administrim të drejtpërdrejtë të AKP-së. Pas tërheqjes së aksioneve nga ana e Bordit të AKP-së, Agjencia ka zbatuar procedurat e saja ligjore duke vendosur Ndërmarrjen nën Administrim Direkt dhe aktualisht ndërmarrja është nën administrim direkt”, thonë në AKP.
Në AKP kanë treguar për FaktePlus se blerësi i minierë nuk i ka përmbushur premtimet dhe për këtë është marrë vendim për tërheqje të aksioneve në vitin 2014.
“MIM Goleshi’ ishte privatizuar përmes metodës spin-off special në fund të vitit 2007 me çmim 810,000 euro, obligimi për investime me kontratën e nënshkruar ishte në shumën 16,200,000 euro gjatë periudhës dy vjeçare, ndërsa zotimi i punësimit: 40 punëmarrës në gjashtë muajt e parë, 178 në fund të gjashtë muajve, 355 deri në fund të vitit të parë dhe 355 punëmarrës të mbahen edhe për një vit. Të dhënat e auditorëve të jashtëm dëshmojnë se ish blerësi nuk e ka respektuar kontratën e nënshkruar dhe premtimet që vet ai i ka dhënë, andaj si pasojë e kësaj dhe me qëllim të ruajtjes së ndërmarrjes, Bordi i Drejtorëve në muajin gusht të vitit 2014 ka marrë vendim për tërheqje të aksioneve dhe kthimin e ndërmarrjes nën administrim të drejtpërdrejt të Agjencisë”.
Në AKP kanë treguar se kanë paguar detyrimet/ borxhet e ish pronarit ndaj KPMM-së me qëllim të vazhdimit të licencave si kusht për të ushtruar aktivitetin e shitjes së gurëve të Dunitit.
“Pas vazhdimit të licencave AKP kishte nënshkruar kontratë për shitjen e gurëve të dunitit me Bechtel Enka, duke inkasuar të hyra për mirëmbajtjen e Ndërmarrjes dhe pagesën e punëtorëve. Ndërmarrja vazhdon të administrohet me sukses nga AKP-ja”.
Vite më parë ish- blerësi i minierë s, Hysni Zogaj, kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, kthimin e aksioneve të MIM Goleshit, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Ish- blerësi kishte pretenduar se gjatë procesit së tërheqjes së aksioneve nga ana e Bordit të AKP-së, i janë bërë një varg shkeljesh.
Blerësi ka paraqitur faktet edhe tek Kushtetuesja se Bordi i AKP-së, në shtator të vitit 2014, disa muaj para se t’i skadojë afati i përmbushjes së zotimeve ka marrë vendim që kjo minierë e privatizuar me metodën e spin –off special të kthehet nën menaxhim të AKP-së.
Blerësi, Hysni Zogaj, po ashtu në vazhdimësi e ka kundërshtuar vendimin e Bordit të AKP-së, pasi sipas tij vlera e investimeve është tejkaluar.
Por, vendimi i Bordit të AKP-së për tërheqje të aksioneve është vlerësuar i drejtë edhe nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila kishte refuzuar ankesën e ish- blerësit.
Mirë po, ish- blerësi nuk ishte ndalur me kaq. Në muajt e parë të këtij viti Republika e Kosovës ishte dërguar në Arbitrazh, nga kompania kroate “Iming” D.O.O., e cila ka iniciuar padi ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) në këtë gjykatë ndërkombëtare.
Kjo padi ishte bërë për mos kompensimin e investimeve që i ka bërë kjo kompani në Minierën Industria e Magnezit (MIM) Golesh. Vendimi për këtë çështje nuk është marrë ende./FaktePlus