Pse ndodhin tërmetet?
Tërmetet ndodhin për shkak të lëvizjes së pllakave tektonike, lëvizjes së kores së tokës apo shpërthimeve shumë të mëdha që lëshojnë shumë energji, dhe si pasojë ndodhë lëkundja e tokës (e njohur si tërmet). Ekspertët e kësaj fushe tregojnë se a ka rrezik që Kosova të goditet nga tërmetet e forta, si dhe kur ndodhi për herë të fundit tërmeti shkatërrues.
Në mbarë botën ndodhin rreth 500.000 tërmete në vit, të cilat zbulohen nga instrumentet e ndjeshme.
Rreth 100.000 prej tyre mund të ndjehen edhe nga njerëzit pa pasur nevojë për pajisje, kurse qindra tërmete shkaktojnë dëme të papërshkueshme çdo vit në gjithë botën.
Tërmetet që kanë ndodhur në territorin e Kosovës nga viti 1999
Që nga themelimi i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës në vitin 2008 dhe mbledhjes së të dhënave nga përfundimi i luftës në vitin 1999, e deri në vitin 2018, shihet se në Kosovë kanë ndodhur 901 tërmete me Magnituda 1.5 e deri në 5.2 shkallë të Rihterit.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka marrë statistika të përgjithshme për tërmetet që kanë ndodhur në vendin tonë.
Nga Rrjeti Sizmologjik i Kosovës është bërë e ditur se vendi ynë, në periudha kohore të ndryshme është përballur me tërmete të vogla apo të mëdha.
E Shemsi Mustafa nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, institucion ky që vepron në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZhE) tha për FaktePlus se tërmeti më i fuqishëm gjatë periudhës 1999-2018, ka qenë në regjionin e Gjilanit në vitin 2002.
“Vendi jonë është ballafaquar me mjaft tërmete. Për periudhën 1999-2018, tërmeti me i fuqishëm ka goditur regjionin e Gjilanit më datë 24/04/2002, Magnituda 5.7 shkallë të Rihterit dhe me intensitet 8 ball të Merkalit, këtë të dhënë e kemi huazuar nga Maqedonia dhe Shqipëria sepse në atë kohë nuk ka ekzistuar rrjeti apo institucioni në fjalë”, ka bërë të ditur Mustafa.
Ai po ashtu ka shpjeguar se në vitin 2010 territorin e Kosovës e ka goditur një termet tjetër i fuqishëm me intensitet 7 ball, ndërsa në nëntor të vitit 2013 një tërmet i fuqisë mesatare ka goditur edhe regjionin e Vushtrrisë me Magnituda 4.8 shkallë të Rihterit dhe me intensitet 61/2 ball të Merkalit.
Para 98 vitesh ndodhi tërmeti shkatërrues në Kosovë
Në katalogun historik të tërmeteve të huazuar nga institucionet e vendeve të rajonit dhe nga Enti Sizmologjik i Selanikut, shihet se kur ka ndodhur tërmeti më i rëndë në Kosovë.
Sipas të dhënave tërmeti më i fuqishëm që ka goditur territorin e Kosovës ishte goditja në zonën Ferizaj-Viti-Gjilan, në vitin 1921. Ky tërmet ishte me Magnituda 6.1 shkallë të Rihterit dhe me intensitet 9 ball të Merkalit.
Shkaktari i tërmeteve në Kosovë
Tërmetet sjellin prej kohësh frikë tek njerëzit, pasi janë një nga fenomenet më të tmerrshme të natyrës. Duke arritur pa paralajmërim, tërmeti mundet, për pak sekonda, të krijojë një nivel vdekjeje dhe shkatërrimi që mund të barazohet vetëm me armët më ekstreme të luftës.
Zyrtarë nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, thonë se shkaktari kryesor i proceseve të cilat sjellin deri te paraqitja e tërmeteve tektonike është lëvizja e pllakave tektonike të korës tokësore.
“Janë pikërisht shkëputjet aktive, që shkojnë thellë nëntokë, ku lindin tërmetet e në veçanti të ashtuquajturat nyje sizmotektonike, vendet e kryqëzimit të shkëputjeve aktive me drejtime të ndryshme të shtrirjes, ku lindin e priten të lindin tërmetet e fuqishme”, thotë Shemsedin Mustafa nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës.
A rrezikohet Kosova nga tërmetet që ndodhin në vendet tjera fqinje?
Efektet në truall dhe ndikimet sekondare janë faktorët te cilët lidhen me rrezikshmërinë nga tërmetet e largëta dhe ato të vendeve fqinje, e nga të cilat Mustafa thotë se mund të rrezikohet Kosova.
“Prandaj ka rrezik nga këto ngjarje sizmike të këtij niveli. Përfshirja e rrezikut nga tërmeti i largët në procesin projektues si dhe ndikimi i tij në objekt dhe truall, kërkon njohuri të mira lidhur me atë sesi trualli do të reagojë ndaj valëve sizmike dhe sesi objekti do të bashkëveprojë me lëkundjet e tokës”, thotë ai.
Ndërkaq faktorët të cilët lidhen me rrezikshmërinë nga tërmetet e largëta të vendeve fqinje janë:
Amplifikimi (ndryshimi i parametrave sizmik për shkak të kushteve specifike të zonës, truallit, topografisë dhe formacioneve gjeologjike)
Formacionet gjeologjike, topografia
Llogaritjet dhe analiza të mira statike dhe dinamike
Themele të përshtatshme
Konfiguracioni, forma, madhësia, lartësia, materialet e përdorura të objektit;
Si funksionon Rrjeti Sizmologjik i Kosovës dhe ku janë stacionet
Rrjeti Sizmologjik ka në përbërje 6 stacione sizmike në regjione sipas një forme gjeometrike që të përfshihet mirë i tërë territori ynë dhe ato janë: në Smrekonicë-Vushtrri, Zatra-Pejë, Gërmi-Prishtinë, Livoc-Gjilan, Zatriq-Rahovec dhe në Prizren me pajisje të teknologjisë më të re Geotech.
Sa i përket stafit apo punonjësve ky institut numëron vetëm dy persona e që kërkesë e rrjetit Sizmologjik është që numri i stafit të rritet.