Specialja e interviston Salih Mustafën, flet avokati i tij
Pas ftesës nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara, që mori njëri prej organizatorëve dhe themeluesve të UÇK-së, Salih Mustafa, ai dje dhe sot është marr në pyetje.
Avokati i tij, Nikë Shala, ka thënë se ai është marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit dhe sipas tij në mënyrë brilante i ka sqaruar të gjitha dyshimet e kësaj prokurorie lidhur më vepren penale për të cilën dyshohet.
“Dje më datë 19 dhe sot më datën 20.11.2019, klienti im z.Salih Mustafa, ish-komandat i gueriles BIA, është marr në pyetje pranë prokurorit të dhomës së specializuar në Hagë në cilësinë e të dyshuarit. Ai në mënyrë brilante i ka sqaruar të gjitha dyshimet e kësaj prokurorie lidhur me veprën penale për të cilën dyshohet. Mbrojtja është thellësisht e bindur që këtë betejë do ta fitojmë sepse është fakt i pakontestueshëm që UÇK ka zhvilluar një luftë të drejtë”, deklaroi Nikë Shala për insajderin.
Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës. Gjatë veprimtarisë ilegale, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vite burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.
Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës. Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.
Mustafa ka qenë bashkëveprimtar dhe shokë ideali i Bahri Fazlisë, Agron Rrahmanit, Ilir Konushevcit, Raif Qelës, Fatmir Humollit, Isa Kastratit e shumë figurave tjera eminente.
Sahil Mustafa ka qenë njëri nga themeluesit e LKQK-së. Kurse pas përfundimit të luftës vazhdoi misionin e tij për ndërtimin e institucione shtetërore. Fillimisht shërbeu si shef i departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltarë për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.