Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri vetëm në letër, qeveria ardhshme premton qasje tjetër
Dhjetëra marrëveshje të arritura mes Kosovës e Shqipërisë, thuajse asnjëra nuk ka gjetur zbatimin e plotë në praktikë. Në disa takime të qeverive të dy vendeve janë nënshkruar marrëveshje në fushat, si, në siguri, ekonomi, ambient, diplomaci, mirëqenie sociale, të cilat kanë mbetur në sirtarë, meqë zbatimi i tyre në praktikë mbetet ende dëshirë për shumë prej tyre.
Zyrtarë të partive që pritet të jenë në qeverinë e ardhshme në Kosovë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, thonë se pavarësisht arritjes së shumë marrëveshjeve, zbatimi i tyre ka qenë tejet i dobët.
Madje sipas tyte, arritja e këtyre marrëveshjeve është bërë për konsum të brendshëm.
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, thotë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se ideja e fundit e kryeministrit Edi Rama për mini-shengenin tregon qartë se nuk e ka pasur në plan zbatimin e marrëveshjeve dhe ofrimin me Kosovën.
“Angazhimi i dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë për të arritur marrëveshje më tepër janë shfrytëzuar për konsum të brendshëm të dy anshëm, krejtësisht sipërfaqësor se sa në substancën e tyre për të arritur afrim edhe me të madh edhe në aspektin politik, edhe në aspektin ekonomik, kulturor, pse jo edhe në aspektin sportiv e kështu më radhë. Dhe kjo definitivisht ka shprehur, sidomos nga ana e Shqipërisë një mungesë vullneti të tyre për t’u ofruar edhe më tepër me Kosovën. Madje, ideja e tyre është që të ofrohet dika tjetër, të ketë projekte tjera të cilat, jo që e lënë anash Kosovën, por e përjashtojnë atë dhe i shkaktojnë dëm asaj”, ka thënë Selmanaj, shkruan FaktePlus.
Qasje tjetër, sipas Selmanajt, do të ketë Qeveria e re e cila pritet të formohet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, meqë me 6 tetor fituan zgjedhjet.
Selmanaj thotë se qeverisja e ardhshme e Kosovës duhet ndërruar intensitetin, edhe të takimeve, edhe përkushtimit, edhe gatishmërisë së dy qeverive për realizimin e marrëveshjeve, teksa përmend telashet që kanë pasur dy vendeve për importin dhe eksportin e patateve, miellit, pritja në kufi me orë për të kaluar një vikend e tjera.
“Janë krejtësisht banale këto që kanë ndodhur deri sot dhe çfarë duhet të bëjmë ne, intensiteti duhet të ndryshoj, i takimeve, i përkushtimeve reciproke dhe jam i sigurt që në Qeverinë ku do të jetë edhe LDK-ja aty do t kemi qasje tjetër, do të ketë një presion me të madh nga ana e Kosovës në mënyrë që t’i heqim disa barriera. Por nëse nuk ekziston vullneti i Shqipërisë atëherë edhe kjo çështje duhet bërë publike, s’duhet të fshehët, nëse ka mungesë ka mungesë vullneti apo ka tendencë për të bllokuar këto procese atëherë duhet të dihet kush është bllokuese e procesit”, u shpreh Selmanaj.
Deputeti i LDK-së, beson që edhe partneri i koalicionit në Qeverinë e ardhshme, Vetëvendosje, do të pajtohet me një qasje të tillë, duke qenë se vet ka promovuar afrimin edhe me të madh me Shqipërinë.
Edhe analistët e quajnë të vakët nivelin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, pavarësisht arritjes së një numri të madh të marrëveshjeve.
Analisti Nexhmedin Spahiu, ka thënë për FaktePlus, se Qeveria e re me kryeministër Albin Kurti do të jetë më serioze në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, por edhe thellimin e bashkëpunimit.
“Sigurisht, Albin Kurti është më serioz në këtë drejtim, besoj se marrëveshjet do t’i nënshkruaj dhe do t’i zbatojë me rigorozitet. Por do të jetë pikëpyetje realizimi i tyre nga ana e Shqipërisë dhe se si do të reflektohen këto në marrëdhëniet e mëtutjeshme në mes Prishtinës dhe Tiranës. Dhe unë jam i bindur se me një qasje që e ka Albin Kurti dhe një qasje që ka Qeveria në Tiranë, pashmangshëm do të ketë një konfrontim”, thekson Kurti.
Megjithatë, ai e sheh problem qasjen e kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti, për të cilën thotë se nëse nuk e ndërron atëherë do të jetë shkaktojë telashe në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Mirëpo, unë megjithatë pres që qeverisja e Albin Kurtit në Kosovë do të shkaktojë telashe në marrëdhëniet me Shqipërinë. Nëse Kurti nuk heq dorë nga pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë, sigurisht që do të shkaktohen telashe. Telashe të tilla do të shkaktohen edhe pa i shprehur ato, me vet faktin se në momentin kur ai do ta luftojë korrupsionin në Kosovë, në Shqipëri do të paraqiten simpatizant të tij dhe kjo do të shkaktojë xhelozi të klasës politike atje dhe kjo do të reflektohet në marrëdhëniet mes dy shteteve”, ka thënë Spahiu.
Takimi i fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, është mbajtur me 26 nëntor 2018 në Pejë, në të cilën janë nënshkruar disa marrëveshje./FaktePlus