Çfarë po kalkulon LDK me zvarritjen e koalicionit me Vetëvendosjen
Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk po i ngutet që të arrijë koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi kjo e fundit doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit. Madje, gjatë së hënës partia e Isa Mustafës refuzoi kërkesën e krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje për takim ku do të diskutohej formimi i koalicionit qeverisës.
Analistët e shohin këtë si kalkulim të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse në këtë fazë ajo po bën politikë. Sipas tyre, partia e Isa Mustafës po e pret certifikimin e rezultateve për të parë secilën parti nga sa deputetë do t’i marrë, sepse ata i shohin edhe raportet e brendshme dhe të opinionit.
Analisti Ramush Tahiri, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se diskutimet për arritjen e koalicionit qeverisës, përveç pozicioneve programore, janë edhe matematikë e numrave. Prandaj, sipas tij, është normale që LDK-ja kërkon që të mos diskutohet deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor.
“Certifikimi i rezultateve është proces normal, e bënë KQZ-ja dhe që tregon për secilën parti sa ka fituar. Me certifikim dihet renditja përfundimtare dhe zakonisht fillojnë të bëhen koalicionet pasi të dalë rezultati përfundimtar sepse pozicionet përveç që janë programore janë edhe matematikë e numrave varësisht prej forcës që e ka treguar secila parti politike dhe secila parti që dëshiron të bëjë koalicionin. Ndryshe është nëse koalicionin e bëjnë vetëm VV-ja me LDK-në që i bëjnë 61 apo 62 deputetë dhe ndryshe është nëse 61 apo 62 deputetë i bëjnë së bashku me Nismën dhe nëse Nisma i merr 6. Mandej krejt tjetër është nëse qeveria i ka 12 ministri, dy për komunitetet dhe 10 për shqiptarët dhe tjetër është nëse janë 18, 20 ministri”, ka thënë Tahiri.
Më tutje Tahiri e quan politikë veprimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të mos diskutojë për formimin e koalicionit qeverisës deri pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Nuk e di krejt qëllimin e LDK-së sepse normalisht në këtë fazë edhe bën politikë ose politizim edhe i shikon raportet e brendshme të vetat por edhe raportet e opinionit. LDK-ja është deklaruar që pa certifikim të rezultateve nuk mund t’i ndajmë postet, që është normale sepse atëherë konfrontohen sa posti me i marrë dhe si ju takojnë. Për ndryshe nëse ka program të mirë qeverisës nuk besojë që LDK-së i ka mbetur syni të një ministri më shumë apo më pak, sepse LDK-së duhet t’i mbetet hatri nëse nuk hyjnë disa çështje programore”, u shpreh Tahiri.
Mirëpo, analisti Tahiri thotë se nuk po i kupton Vetëvendosjen e LDK-në që dallimet të cilat i kanë po i qesin në opinion, meqë tash opinioni nuk ka ndikim.
Ndërsa, analisti tjetër, Blerim Burjani, thekson për FaktePlus, se LDK-së nuk është duke iu ngutur arritja e marrëveshjes për koalicion, prandaj po kalkulon deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.
“Situata e parë që LDK kërkon legalisht të rrumbullakësohet procesi i zgjedhjeve dhe i rezultatit përfundimtar të certifikuar. Dhe e dyta, është çështja e arritjes së marrëveshjes përfundimtare për themelim të koalicionit qeverisës, kuptohet se gjithçka varet nga rezultati përfundimtar. LDK nuk duket shumë e kënaqur deri më tash, pra me propozimet që janë bërë nga VV, por ka kohë pasi brenda 30 ditëve pritet konstituimi i Kuvendit nga dita e certifikimit të rezultatit zgjedhor. Pra, LDK-ja ka kohë për kalkulim, andaj nuk nxitohet. Normal se kërkesa e LDK-së mund të jetë më e madhe pasi VV-ja merr kryeministrin”, deklaroi Burjani.
Deri më tani përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë takuar disa herë për ta harmonizuar programin për fusha të ndryshme.
Mirëpo, për ndarjen e posteve ministrore, numrit të ministrive, nga sa do t’i kenë secila parti, ende nuk është biseduar pasi LDK po e pret certifikimin e rezultateve zgjedhore të 6 tetorit.
Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ditë më parë i ka publikuar rezultatet preliminare, të cilat kanë nxjerrë si parti të parë Lëvizjen Vetëvendosje, pasuar nga LDK-ja, mandej radhitet PDK, AAK dhe në fund Nisma, e cila thuhet se për pak e ka kaluar pragun prej 5 për qind./FaktePlus