Challandes tregon se a i frikësohet Maqedonisë së Veriut
Bernard Challandes i ka komentuar gjasat e Kosovës për kualifikim në kampionatin evropian ‘Euro 2020’.
Kombëtarja e Kosovës do të ketë mundësi kualifikimi përmes fazës së play-offit, ku do të shkojë si fituese e grupit të saj në Ligën D të Nations League.
Në ‘Info Magazine’, Challandes ka thënë se që prej momentit kur përfundoi ndeshja me Anglinë, mendja e tij është vetëm te përballja me Maqedoninë e Veriut.
“Dardanët” do të luajnë si mysafirë të Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinalen e play-offit. Në rast fitoreje, do të përballeshin me fituesin e gjysmëfinales tjetër, Gjeorgji – Bjellorusi, në finale.
“Më duhet të them se deri sot mendjen nuk e kam pasur te ndeshja me Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Challandes.
“Nuk kam dashur t’ia jap idenë ekipit se rruga për kualifikim drejtpërdrejt ishte e pamundshme”, theksoi ai.
“Dëshironim të luanim dhe atëherë Maqedonia e Veriut ishte një storje tjetër. Tash nga dje, nga ora 20:00 e kam mendjen te Maqedonia e Veriut”, potencoi Challandes.
Ai tha se nuk e njeh mirë përfaqësuesen e Maqedonisë, por tha se do ta nisë menjëherë punën për këtë ndeshje.
“Është gjithmonë e njëjta për mua, duhet t’i respektojmë të gjitha ekipet. Maqedonia do të jetë një kundërshtar i fortë dhe pres ndeshje të fortë, ne duhet të jemi i gatshëm”, tha Challandes.
“Do të jetë 50-50. Unë nuk i frikësohem Maqedonisë së Veriut asnjëherë, por më duhet ta pranoj se isha pak i frikësuar kundër Anglisë”, theksoi ai.