Lajm i keq për Kosovën
Kombëtarja e Kosovës në futboll do të jetë e hendikepuar në dy ndeshjet e radhës që do ‘ti zhvillojë me 14 nëntor kundër Çekisë në Plzen dhe kundër Anglisë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kjo pasi sulmuesi me në formë i Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të mund t’i ndihmojë skuadrës pas një lëndimi që ka pësuar në ndeshjen e fundit me klubin e tij, Fenerbahce.
Lajmin e ka konfirmuar Federata e Futbollit e Kosovës përmes një njoftimi për media.
“Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të jetë në gjendje të luajë në dy ndeshjet e radhës kundër Çekisë, më 14 nëntor në Plzen dhe kundër Anglisë, më 17 nëntor në Prishtinë. Përkundër përpjekjeve maksimale dhe dëshirës së madhe të futbollistit për t’i ndihmuar bashkëlojtarët në këto ndeshje të rëndësishme, pas ekzaminimeve të bëra mjekësore dhe konsultimeve edhe me ekspertë të kësaj fushe në Zvicër ka rezultuar që paraqitja e tij është e pamundshme të ndodhë. Për çdo ndryshim eventual në gjendjen e futbollistit do t’iu informojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen kundër Republikës së Çekisë në Plzen, nga ku do të varet nëse kombëtarja e Kosovës do të mbajë shpresat gjallë për kualifikim në Kampionati Evropian ‘EURO2020’.
Në rast të fitores ndaj Çekisë, Kosova me një barazim me Anglinë në “Fadil Vokrri” të dielën do ta siguronte pjesëmarrjen për herë të parë dhe historike në një Kampionat Evropian. /FaktePlus