Ramiz Lladrovci s’e ndal dorën, paralajmëron shkarkime tjera
Edhe tre drejtorë në dy javët e fundit janë larguar nga postet e tyre që mbanin në Komunën e Drenasit, duke iu shtuar kështu numrit të madh të të larguarve në këtë komunë. Prej gjithë të larguarve, disa nga ta, kryetari Ramiz Lladrovci i ka liruar nga detyra me kërkesë të tyre, e disa edhe i ka shkarkuar. Por, Lladrovci, duket se nuk do ta ndal dorën në këtë drejtim, pasi ka paralajmëruar shkarkime të tjera, me të cilat synon ndërrimin e stafit të tij drejtues në udhëheqjen e Komunës së Drenasit.
Prej se ka marrë në udhëheqje Drenasin, kryetarit Lladrovci i janë larguar disa drejtorë, disa prej të cilëve i ka shkarkuar. Vetëm në dy javët e fundit janë tre drejtorë që për shkaqe të ndryshme tashmë nuk janë pjesë e qeverisjes.
E vetë kryetari Lladrovci ditë më parë ka paralajmëruar ndryshime në kabinetin e tij qeverisës.
Ai në rrjetin social pati thënë se deri në fund të vitit do të ketë ndryshime në strukturat qeverisëse komunale.
Këtë ndryshim Ladrovci duket se e nisi gjatë muajit të kaluar, duke shkarkuar nga detyra e drejtorit të Infrastrukturës, Idriz Hysenin.
Zyra për media e kabinetit të kryetarit i kanë thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se shkarkimet e fundit kanë ndodhur për shkak të ndryshimeve në qeverisjen komunale.
Kjo zyrë, konfirmon se deri në fund të vitit do të ketë edhe ndryshime të tjera.
“Kryetari i Komunës ka kompetenca ligjore të ngarkojë e shkarkojë drejtorë të cilët janë të emëruar në poste politike. Gjatë muajit tetor të këtij viti, përkatësisht më 14 tetor, kryetari Lladrovci përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, kishte paralajmëruar për ndryshime në qeverisjen e tij, dhe nuk do të thotë që deri në fund të këtij viti nuk do të ketë edhe ndryshime të tjera në ekzekutivin e Drenasit”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media.
Tutje kjo zyrë, sqaron se sa i përket ish- drejtorit të Infrastrukturës, Idriz Hysenaj, gjatë muajit tetor të këtij viti kryetari Lladrovci e ka liruar atë nga detyra e drejtorit për shkak të procedurave ligjore që janë duke u zhvilluar ndaj tij.
Tutje zyrtarët komunal për informim kanë dhënë edhe arsyen për largimin e shkarkimin e drejtorit të Arsimit dhe atë të Inspekcionit.
Ndërsa ish-drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Tafil Halilaj,
“Pas kërkesës për lirim nga detyra nga vetë drejtori për Arsim, Tafil Halilaj, kryetari Lladrovci e ka liruar atë nga pozita dhe i është organizuar edhe një ceremoni e pensionimit. Kurse ish-drejtoresha e Inspekconit, Aurora Berisha është shkarkuar për shkak të mos përmbushjes së pritshmërive nga kryetari”, thuhet mes tjerash në përgjigje.
E drejtoresha e shkarkuar e Inspekcionit, Aurora Berisha ka zgjedhur rrjetin social që të reagoj për këtë vendim të kryetarit Lladrovci.
Sipas saj, shkarkimi nga detyra më 31 tetor ka ardhur pa asnjë vërejtje nga ana e kryetarit.
“Gjithashtu është e përcaktuar që kryetari siç ka të drejtë të emërojë një drejtor, ka të drejtë edhe të shkarkojë atë, sikurse në rastin tim pa ndonjë vërejtje apo arsye. Unë pranova këtë vendim të kryetarit të Komunës së Drenasit. Mirëpo siç duket ka qenë e kundërta e asaj, pasi që ka munguar përkrahja e kryetarit të Komunës së Drenasit, ku së fundi erdhi presioni dhe kërkesa e tij për dorëheqjen time nga pozita e Drejtorit të Inspeksionit. Unë nuk u pajtova me këtë kërkesë të pa arsyeshme, prandaj pritshmëria e tij për dorëheqjen time nuk u përmbush dhe më 31 tetor 2019 pa asnjë vërejtje më shkarkoi nga pozita”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq, pas këtyre largimeve e shkarkimeve nga Komuna e Drenasit kanë bërë me dije se gjatë ditëve në vazhdim do të kompletohet kabineti i kryetarit Lladrovci me emra të rinj të drejtorive.
Ramiz Lladrovci, është duke udhëhequr me komunën e Drenasit, për dy mandate radhazi. Ai është zgjedhur në krye të kësaj komune, si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës.
Dhe në mandatin e tij të tanishëm, udhëheq pa koalicione, për shkak se kishte arritur që në raundin e parë të fitojë me mbi 50% të votave./FaktePlus