Në Kosovë po rriten rastet e të prekurve nga kanceri, mjekët japin shifrat
Për çdo ditë shohim publikime prekëse përmes të cilave kërkohet ndihmë për shërim të të prekurve nga sëmundja e kancerit, e cila për çdo vit po prek më shumë njerëz në Kosovë.
Sëmundja e kancerit apo ndryshe siç konsiderohet si sëmundja e shekullit, po merr shtrirje të madhe edhe në vendin tonë. Statistikat tregojnë se në tri vitet e fundit, ka pasur nga 1500, deri në 1600 raste të reja që janë lajmëruar.
Kjo sëmundje po prek mosha të ndryshme dhe numri i personave që po vuajnë nga kanceri veçse po rritet.
Vetëm brenda nëntë muajve të këtij viti, në Klinikën Onkologjisë në QKUK janë evidentuar 1 mijë e 125 raste të reja që janë të prekur nga kanceri. E nëse e krahasojmë këtë periudhë kohore me vitin e kaluar i bie të ketë rritje prej 3 deri në 4 për qind.
“Në këtë vit deri muajin Shtator, në Klinikën e Onkologjisë janë evidentuar 1125 raste te reja. Ndërkaq vitin e kaluar në këtë periudhë janë evidentuar 1045 raste. Këtë vit janë 3-4% rast më shumë”, ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.
E mosha më e prekur nga kjo sëmundje, rrallë herë e shërueshme është mosha 50-60 vjeç.
Statistikat jo të mira në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) janë edhe për kancer të mushkërive.
Nga janari i këtij viti e deri në shtator, janë evidentuar 175 raste të kancerit në mushkëri.
Kurtishi, tregoi për FaktePlus se nëse e krahasojmë me vitin e kaluar del që edhe këtu ka ngritje prej 3 për qind.
“Me kancer të mushkërive këtë vit, deri në muajin Shtator janë evidentuar 175 raste, që në krahasim me vitin e kaluar është një ngritje për 3 %”, bënë të ditur Kurtishi.
Kanceri i mushkërive bën pjesë në grupin e parë sa i përket kancereve në përgjithësi në organizëm te meshkujt, kurse te femrat hyn diku në grupin e tretë.
Kujtojmë se 4 shkurti është Ditë Botërore Kundër Kancerit, ditë kjo që shënohet edhe në Kosovë për çdo vit.
Qëllimi i shënimit të kësaj ditë është edhe shpërndarjen e mesazhit të vërtetë për këtë sëmundje epidemike dhe trajtimet e saj duke përfshirë masat parandaluese, si dhe bashkimi i të gjithë njerëzit një ditë në baza globale, në vetëdijesim për këtë sëmundje dhe parandalimin e luftimin e saj.
Shënimi i Ditës Botërore të Kancerit ishte planifikuar në Gjenevë, Zvicër në vitin 1933 nën drejtimin e UICC (Bashkimi për Kontrollin e Kancerit Ndërkombëtar) dhe me mbështetjen e shoqërive të tjera të njohura, që merren me këtë sëmundje, institutet kërkimore, qendrat e trajtimit dhe grupe të pacientëve.
Sipas raportit është vërejtur se më shumë se 12.7 milionë njerëz janë diagnostikuar me kancer dhe më shumë se 7 milionë janë duke vdekur nga kanceri çdo vit./FaktePlus