Kocijançiq flet për FaktePlus, tregon se çfarë është duke bërë BE për zarfet e helmuara nga Serbia
Dita e diel e 13 tetorit shkaktoi shqetësim të madh në opinionin kosovar. Kjo për faktin se 26 zyrtarë të KQZ-së teksa ishin duke verifikuar zarfet e votave të ardhura nga Serbia, në duart dhe fytyrën e tyre, u shfaqën shenja të një lloj alergjie dhe helmimi.
Pas shfaqjes së këtyre simptomave nga 26 zyrtarët që kërkuan ndihmën mjekësore, 12 janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku po mbahen ende aty pasi kanë simptoma të kruarjes së duarve.
Shumica e të helmuarve kanë qenë gra e vajza, ku dy nga to ishin gra shtatzëna, përcjell FaktePlus. Menjëherë pas kësaj në vendin e ngjarjes kishin dalë edhe prokurorët special të Prokurorisë së Kosovës.
Kurse, presidenti i vendit, Hashim Thaçi të hënën ka pritur në takim kryetaren e KQZ-së,Valdete Dakën, si dhe drejtuesit e institucioneve të sigurisë, si kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin dhe drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhunin, prej të cilëve ka kërkuar që ky rast të hetohet deri në fund.
“Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së”, ka thënë presidenti Thaçi.
Përfaqësuesit e këtyre tri institucioneve kanë deklaruar se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve. Ndërsa, kanë thënë se ky ekzaminim pritet të bëhet së bashku me ekspertë ndërkombëtarë.
E, për gjithë këtë rast Agjencia e Lajmeve FaktePlus, ka kërkuar përgjigje edhe nga Bashkimi Evropian, pasi që edhe BE-ja pati dërguar mision vëzhgues në Kosovë për zgjedhjet e 6 tetorit.
Zyrtarë të kësaj të fundit, kanë thënë se kanë parë të gjitha raportet në lidhje me numërimin e fletëve të votimit të ardhura nga Serbia.
“Ne kemi parë raportet në lidhje me numërimin e fletëve të votimit të ardhura nga Serbia dhe jemi në pritje të përfundimit të hetimeve deri në rezultatet finale”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, për FaktePlus.
Sipas saj, misioni i vëzhgimit i dërguar nga Bashkimi Evropian në Kosovë është duke e monitoruar nga afër situatën.
“Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve në BE po monitoron nga afër situatën”, kanë thënë Kocijançiq.
Ndërsa, gjatë ditës së djeshme kanë dalë edhe rezultatet e analizave të 12 pacientëve, të cilët po mbahen ende në Klinikën Infektive të QKUK-së. Nga analizat e djeshme ka rezultuar se tek të hospitalizuari nuk ka infeksion.
Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), ka thënë se nga e diela janë dërguar mostrat për analiza laboratorike për të konfirmuar apo jo sindromën infeksioze.
“Këto analiza kanë ardhur dhe kanë rezultate të gjitha negative, nuk ka infeksion dhe pritet që në bazë të gjendjes së tyre të lirohen” u shpreh ai.
Pritet që gjatë ditës së sotme pacientët të lirohen nga QKUK-ja./FaktePlus