Ndarja e posteve mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, flet Lutfi Haziri
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka mohuar të kenë vendosur t’i ndajnë Ministritë me Lëvizjen Vetëvendosje në një koalicion të mundshëm për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Teksa në media u publikua lajmi se tashmë dy partitë që dolën në vendin e parë, përkatësisht të dytin janë afër arritjes së marrëveshjes për ndarje të ministrive, numri dy i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se ende nuk kanë folur për dikasteret specifikisht.
“Ende nuk është biseduar për resorët ministrore…po punohet në politika programore të qeverisë”, ka thënë Haziri për FaktePlus.
Sipas raportimeve të sotme, LVV dhe LDK kanë dallime në pozicione rreth hises në Qeveri, e në disa raste u tha se ndarja e posteve ministrore mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, është bërë 50 me 50.
Por, nënkryetari Haziri ka thënë se pas dakordimit për politikat programore janë liderët e koalicionit të mundshëm qeverisës që do të vendosin për ndarjen e resorëve ministrore.
“Liderët e koalicionit të mundshëm në fund dakordohen për pjesëmarrjen ne qeveri dhe ndarjen e resorëve”, ka theksuar nënkryetari Haziri.
Ditë më parë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me nënkryetarin Besnik Bislimi, kanë zhvilluar takimin e parë me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidaten për kryeministre të kësaj partie, Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth koalicionit për të ndërtuar Qeverinë e re.
Në këtë takim, Kurti e Osmani thanë se janë dakorduar që të punojnë grupet e eksperteve të dy partive për harmonizim të programeve, deri në certifikimin e rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja.
Kujtojmë se LVV-ja, një subjekt që i përket spektrit të majtë, për herë të parë ka dalë parti e parë për kah numri i votave. Rezultatet preliminare kanë treguar se pro saj ishte 25.5 për qind e trupës votuese.
Në anën tjetër, LDK-ja, parti e djathtë, është renditur e dyta me 24.8 për qind të votave. Ajo në disa mandate ka qenë në pushtet, por vetëm diçka më shumë se dy vjet ka drejtuar Qeverinë./FaktePlus